Policia e Kosovës pranon donacion dy automjete nga Gjermania
Në një ceremoni solemne të mbajtur sot në Prishtinë, Policia e Kosovës pranoi një donacion nga Policia Federale Kriminale e Gjermanisë (BKA).
Donacioni përbëhet nga dy automjete të specializuara, të cilat janë dedikuar për Njësinë FAST-ILECU, një njësi e specializuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe aktiviteteve të tjera kriminale.
Ceremonia u drejtua nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, z. Joern Rohde. Në fjalën e tij, kolonel Hoxha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës Federale të Gjermanisë, duke theksuar rëndësinë e këtij donacioni për përmirësimin e efikasitetit të Policisë së Kosovës në adresimin e sfidave të sigurisë.
Ambasadori Rohde vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë midis dy vendeve në fushën e sigurisë dhe shprehu angazhimin e Gjermanisë për të ndihmuar institucionet e Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit dhe përballjen me kërcënimet kriminale.
Policia e Kosovës shpreh mirënjohje për këtë mbështetje të vlefshme, e cila dëshmon përkushtimin e përbashkët të të dyja shteteve për luftimin e krimit dhe garantimin e sigurisë publike.