Policia e Kosovës parandalon një rast të kontrabandës me mallra nga Serbia

21.12.2024

Njësitet e Task Forcës Lindje të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, kanë arritur të parandalojnë një rast tjetër të kontrabandës me mallra, si pjesë e angazhimeve të tyre për zbatimin e ligjit dhe luftimin e aktiviteteve të jashtëligjshme në kufirin Kosovë-Serbi.

Më 20 dhjetor 2024, në orët e vona, njësitet policore ndaluan një kamion me targa vendore në magjistralen Gjilan-Prishtinë. Shoferi i kamionit, M.S., 40 vjeç nga Lipjani, u kontrollua nga autoritetet dhe gjatë inspektimit u zbuluan mallra komerciale të kontrabanduara nga Serbia.

Gjatë hetimit u konstatua se shoferi posedonte disa fatura nga vendi i origjinës së mallit (Serbia), të cilat nuk ishin të regjistruara dhe përputhshme me ligjet doganore të Kosovës.

Mallrat e kontrabanduara u sekuestruan dhe u transferuan në terminalin doganor për procedim të mëtejshëm.

Dogana e Kosovës ka marrë përsipër trajtimin ligjor të rastit, duke ndjekur procedurat administrative dhe ligjore kundër individit dhe mallrave të kontrabanduara.