Policia e Kosovës gjen armë, municion dhe pajisje ushtarake në Leposaviq në dy raste të ndara
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë dy rasteve të ndara në Leposaviq janë gjetur dhe sekuestruar armë, municion dhe pajisje ushtarake, në kuadër të veprimeve për parandalimin e posedimit të paautorizuar të armëve.
Rasti i parë ka ndodhur më 19 dhjetor 2025 rreth orës 22:07, kur zyrtarë policorë nga Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë (NJNSH), gjatë patrullimit në fshatin Rvatska, kanë zbuluar një shtëpi të pabanuar ku janë gjetur dhe sekuestruar një armë gjuetie, një karabinë, një armë të llojit AK-47, 240 fishekë dhe një palë dylbi.

Pas procedurave hetimore, më 22 dhjetor 2025, në objektet përcjellëse të shtëpisë, policia ka gjetur edhe një pushkë ajrore, mekanizëm për barut, një thikë ushtarake dhe një frotroll për revole.

Të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar iniciimin e rastit penal për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”. Aktualisht nuk ka persona të arrestuar dhe rasti është në procedurë hetimore.

Rasti i dytë ka ndodhur më 20 dhjetor 2025 rreth orës 06:45, kur Policia ka arrestuar personin R.R., lindur më 1965, pas një kontrolli në shtëpinë e tij në fshatin Veacev.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie, një pushkë gjysmë automatike, një bombë dore, dy tromblona, fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe pajisje të ndryshme ushtarake, përfshirë çantë, xhaketë dhe thikë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas inicimit të rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e posedimit të paautorizuar të armëve të zjarrit, duke vepruar për ruajtjen e rendit, paqes dhe sigurisë së përgjithshme për të gjithë qytetarët pa dallim.