Policia e Kosovës apelon për kujdes: Mos drejto mjetin nën ndikimin e alkoolit

01.08.2025

Policia e Kosovës ka bërë një apel të qartë për qytetarët që të shmangin drejtimin e automjeteve nën ndikimin e alkoolit, duke theksuar rrezikun që kjo sjellje paraqet për jetën e shoferëve dhe të tjerëve në trafik.

Në kuadër të një fushate vetëdijësuese, Policia ka publikuar informacione të detajuara për ndikimin e alkoolit në aftësitë e drejtuesve të automjeteve, si dhe për sanksionet ligjore që aplikohen sipas Ligjit për Trafikun Rrugor në Republikën e Kosovës.

Sipas Policisë, alkooli ndikon në reagimin, vendimmarrjen dhe përqendrimin e shoferit, duke rritur ndjeshëm mundësinë për aksidente në trafik.

Gjithashtu, janë publikuar edhe masat ndëshkuese që parashihen për drejtuesit që kapen duke drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit, varësisht nga sasia e alkoolit në gjak:

  • Deri në 0.5 g/kg: gjobë prej 150 euro, 1 pikë negative dhe 3 muaj masë mbrojtëse.
  • Nga 0.5 deri në 1 g/kg: gjobë prej 200 euro, 2 pika negative dhe 3 muaj masë mbrojtëse.
  • Nga 1 deri në 1.5 g/kg: gjobë prej 300 euro, 2 pika negative dhe 6 muaj masë mbrojtëse.
  • Nga 1.5 deri në 2 g/kg: gjobë prej 400 euro, 3 pika negative dhe 9 muaj masë mbrojtëse.
  • Mbi 2 g/kg: gjobë prej 500 euro, 3 pika negative dhe 12 muaj masë mbrojtëse.

Policia e Kosovës thekson se këto masa nuk kanë për qëllim vetëm ndëshkimin, por edhe mbrojtjen e jetës dhe parandalimin e aksidenteve. Apeli i Policisë është që secili qytetar të jetë i kujdesshëm dhe të mos rrezikojë as veten dhe as të tjerët në trafik.