“Nuk është kthyer më në shtëpi” – nëna e vajzës së zhdukur në Prizren rrëfen për policinë
Një rast i zhdukjes i një të miture ka alarmuar autoritetet dhe familjen në Prizren.
Një vajzë 15-vjeçare është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më, ndërsa Policia e Kosovës ka nisur menjëherë kërkimet për gjetjen e saj.
Bëhet e ditur se rasti është raportuar në orët e para të mëngjesit të së shtunës, më 1 nëntor 2025, rreth orës 02:00, në Stacionin Policor të Prizrenit.
Sipas të njëjtave burime, nëna e vajzës, S.K, ka deklaruar se e bija ishte larguar nga shtëpia të premten mbrëma, më 31 tetor 2025, rreth orës 20:00, nga rruga “At Mejdan”, dhe që nga ajo kohë nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj.
Në deklaratën e dhënë në polici, ajo ka treguar se e mitura kishte dalë në shoqëri me disa vajza, të cilat më pas kanë njoftuar familjen se nuk kanë dijeni se ku ndodhet ajo tani.
E mitura përshkruhet si rreth 1.65 metra e gjatë, me peshë afërsisht 45 kilogramë, flokë të zeza dhe sy të zinj. Familja nuk ka informacione të sakta për veshjet që ajo kishte në momentin e largimit nga shtëpia.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka aktivizuar njësitë hetimore dhe patrullat në terren, ndërsa me urdhër të Prokurorit Kujdestar po zhvillohen kërkime intensive për gjetjen e vajzës dhe zbardhjen e rrethanave të zhdukjes.
Hetimet janë ende në zhvillim, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që posedojnë ndonjë informacion të mundshëm rreth vendndodhjes së saj, të lajmërohen menjëherë në Policinë e Kosovës.