Kapet 19-vjeçari në flagrancë duke vozitur me 118 km/h në zonën 50 – policia ia merr patentën për 3 muaj

08.10.2025

Njësia patrulluese e Trafikut Rrugor në Ferizaj ka ndaluar mbrëmë rreth mesnatës një shofer 19-vjeçar, i cili u kap në flagrancë duke vozitur me 118 km/h në një zonë ku kufizimi i lejuar ishte 50 km/h.

Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur në magjistralen Ferizaj – Kaçanik, saktësisht në fshatin e Vjetër, ku vetura e tipit VW Golf me targa vendore është vërejtur duke lëvizur me shpejtësi të lartë.

Gjatë lëvizjes, shoferi A.B. (19 vjeç) kishte kryer edhe tejkalim në vijë të plotë, duke rrezikuar seriozisht sigurinë e pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.

Ndaj tij, policia ka shqiptuar një gjobë prej 300 euro, 3 pikë negative, si dhe heqjen e patentë-shoferit për 3 muaj. Për më tepër, i riu është përjashtuar nga komunikacioni.

Policia Rajonale në Ferizaj u ka bërë apel të gjithë ngasësve që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe shenjat rrugore, duke theksuar se tejkalimet e rrezikshme dhe mosrespektimi i vijës së plotë mund të kenë pasoja të rënda për jetën dhe sigurinë publike.