Gjoba në autostradën “Ibrahim Rugova”: 100 euro për ndalim në shiritin emergjent pa masa sigurie

20.09.2025

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë patrullimeve në lëvizje ka identifikuar disa raste të shoferëve që kanë ndaluar në shiritin emergjent të autostradës pa i ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë dhe pa vendosur trekëndëshin e sigurisë.

Për këto kundërvajtje, ndaj shoferëve janë shqiptuar gjoba sipas ligjit në fuqi.

Në kilometrin e 27 të autostradës “Ibrahim Rugova”, në drejtim të Prizrenit, janë shqiptuar dy gjoba nga 100 euro secila, për raste të ndaljes në shiritin emergjent pa respektimin e rregullave të sigurisë.

Ndërsa, në kilometrin e 26 të së njëjtës autostradë, po ashtu në drejtim të Prizrenit, është shqiptuar një gjobë në vlerë prej 80 eurosh, pasi shoferi nuk kishte vendosur rripin e sigurisë gjatë defektit të mjetit.

Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat, duke theksuar se shiritet emergjente shërbejnë vetëm për raste urgjente dhe se mosrespektimi i tyre paraqet rrezik për sigurinë e përgjithshme në komunikacion.