Arrestohet një person në Prishtinë për falsifikim parash – Sekuestrohen mijëra euro të dyshuara si të falsifikuara

25.06.2025

Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një personi të dyshuar për veprën penale të “Falsifikimit të Parasë”, në bazë të nenit 296 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas komunikatës së përbashkët për media, arrestimi i të dyshuarit me inicialet L.A. është rezultat i veprimeve të koordinuara hetimore mes Departamentit për Krime të Rënda dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Gjatë kontrollit të realizuar nga organet kompetente, janë sekuestruar materiale të shumta që dyshohet se janë përdorur për falsifikimin e kartëmonedhave si dhe një sasi e konsiderueshme parash në vlerë totale prej 4,796.40 euro, e ndarë në këtë formë:

  • 123 fletë formati A4 me kopje të kartëmonedhave prej 10€ dhe 20€
  • 12 fletë A4 të prera me kartëmonedha të falsifikuara
  • 1 telefon i markës iPhone
  • 2 kartëmonedha prej 100€ = 200€
  • 108 kartëmonedha prej 20€ = 2,160€
  • 40 kartëmonedha prej 10€ = 400€
  • 23 kartëmonedha prej 50€ = 1,150€
  • 4 kartëmonedha prej 100€ = 400€
  • 5 kartëmonedha prej 50€ = 250€
  • 5 kartëmonedha prej 20€ = 100€
  • 7 kartëmonedha prej 10€ = 70€
  • 11 kartëmonedha prej 5€ = 55€

Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa brenda afatit ligjor do të parashtrohet kërkesa për caktimin e paraburgimit.

Prokurori i Shtetit ka theksuar përkushtimin për luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, duke siguruar opinionin publik se do të ndërmerren të gjitha veprimet ligjore për parandalimin dhe ndëshkimin e këtyre veprave penale.

Hetimet në këtë rast janë në vazhdim.