Aksion i suksesshëm i Policisë në Prizren: Arrestohen pesë persona, konfiskohen armë e mjete të ftohta

15.06.2025

Policia e Kosovës ka realizuar me sukses një operacion të planifikuar në qytetin e Prizrenit, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike.

Aksioni është zhvilluar mbrëmjen e datës 14 qershor 2025 dhe është koordinuar nga Stacioni Policor i Prizrenit në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Prizren.

Gjatë operacionit janë kontrolluar disa lokale nate (bar-lounge), ku rezultatet nuk munguan. Policia ka njoftuar se katër persona janë kapur me mjete të mprehta (thika) në brez, ndërsa një tjetër është ndaluar me një armë zjarri në posedim. Të gjitha këto mjete janë sekuestruar si prova materiale.

Pesë të dyshuarit janë arrestuar në vendngjarje dhe janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës. Me vendim të prokurorit të shtetit, ata janë dërguar në ndalim policor për 48 orë, ndërkohë që ndaj tyre është iniciuar procedurë penale për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Policia e Kosovës ka theksuar përkushtimin e saj të vazhdueshëm për ofrimin e sigurisë dhe parandalimin e aktiviteteve të paligjshme në vend.