Aksident tragjik në Skënderaj: Tre të vdekur dhe pesë të lënduar, përfshirë policë

26.01.2025

Një aksident tragjik trafiku ka ndodhur mbrëmë rreth orës 18:40 në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, në segmentin rrugor të fshatit Çubrel të Skenderajt.

Në këtë aksident, përfshirë dy vetura, njëra prej të cila veturë zyrtare e policisë, kanë humbur jetën tre persona civilë, ndërsa pesë të tjerë, përfshirë katër policë, janë lënduar.

Sipas informacioneve të siguruara, aksidenti ka qenë shumë i rëndë, duke shkaktuar pasoja fatale dhe lëndime të shumta. Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë policore dhe stafi menaxhues, të cilët kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e këtij aksidenti tragjik.

Hetuesit e njësitit rajonal të trafikut rrugor janë duke punuar në vendin e ngjarjes për të grumbulluar të gjitha provat e nevojshme dhe për të rindërtuar dinamikat e aksidentit. Po ashtu, janë njoftuar institucionet kompetente, siç janë Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe prokurori kompetent, të cilët pritet të arrijnë në vendin e ngjarjes për të ndërmarrë veprimet e mëtejshme hetimore.