Vullnetari i lirisë

09.02.2023

Shkruan- Emira Çitaku (Rrëfimi i Florije Kabashit, gruas së heroit Hajriz Kabashi) Masakra e Berishëve në Suharekë ishte ajo e cila mori jetën e civilëve në mënyrë masive. Ajo ndodhi më 26 mars të vitit 1999, ku pavarësisht përpjekjeve të Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës për t’iu bërë ballë sulmeve të policisë serbe, u vranë 48 […]

Vullnetari i lirisë Foto: Ilustrim

Shkruan- Emira Çitaku

(Rrëfimi i Florije Kabashit, gruas së heroit Hajriz Kabashi)

Masakra e Berishëve në Suharekë ishte ajo e cila mori jetën e civilëve në mënyrë masive.

Ajo ndodhi më 26 mars të vitit 1999, ku pavarësisht përpjekjeve të Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës për t’iu bërë ballë sulmeve të policisë serbe, u vranë 48 shqiptar kryesisht nga familja Berisha në Suharekë.

Në përpjekje për të parandaluar vrasjen e civilëve, tashmë i rëni për liri, Hajriz Kabashi, u plagos në fytyrë ku si pasojë humbi shikimin në njërin sy dhe pësoi lëndime të rënda të nofullës.

Në kohën kur shumë shqiptar mundoheshin të gjenin mundësinë të largoheshin nga Kosova, Hajriz Kabashi ishte ai të cilit i dukej pak ndihma që bënte për të armatosur ushtarët e lirisë, prandaj vendosi që të kthehej nga Zvicra në Kosovë dhe të bëhej edhe ai njëri ndër ta.

Së bashku me të, në Kosovë u kthyen edhe tre djemtë dhe gruaja e tij, Florije Kabashi, e cila sot jeton me mallin dhe kujtimin për bashkëshortin. “Na mungon çdo ditë e me shumë, dhimbja është gjithmonë e më e madhe”, është shprehur ajo.

Megjithatë edhe pse luftoi për vendin e tij, pas vdekjes në liri nuk ia mundësuan varrimin pranë dëshmorëve të tjerë. Duke qenë se burri i saj ishte në luftë, Florija u detyrua të kujdesej e vetme për tre djemtë e saj, ku më i madhi prej tyre ishtë vetëm 9-të vjecar.

“Ishte e vështirë me u përkujdesë e vetme për ta e aq më shumë kur duhej të vraponim e të fshiheshim herë në një vend e herë në një tjetër”, ka thënë Kabashi.

Për të ndjerin Hajriz Kabashi ajo tregoi se kishte qenë në luftë që nga fillimi i saj e deri në ditën e Masakrës së Suharekës, në të cilën ai u plagos rëndë dhe ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Plumbi i snajperit ia goditi kokën, duke ia shqyer nofullën dhe shkaktuar humbjen e shikimit të njerit sy.

Mes lotësh znj.Florije përshkroi se sa e emocionuar ishte kur vizitoi për herë të parë bashkëshortin e saj në spitalin e Tiranës.

“U emocionova shumë, qajsha e u dridhsha kur e pashë në atë gjendje…Kokën e syrin të mbështjellur, e krejt fytyrën e enjtur”, sçaroi gruaja e të ndjerit.

Pas dhjetë ditëve trajtim në Tirane, Hajrizin e dergojnë në një spital në Turqi dhe atje i nënshtrohet 7 operacioneve të cilat ishin kryer me sukses.

“I ka ndihmu ma shumë Zoti, por edhe shokët e tij. E kanë dërgu nëpërmes Maçedonisë në Tiranë, e pastaj prej Tiranës në Turqi, ku edhe e ka marrë veten dhe është ngritë në këmbë”, ka rrëfyer Kabashi.

Pesë vite pas plagosjes në luftë, Hajrizit iu përkeqësua gjendja si pasojë e lëndimeve që kishte marrë atë kohë. Këtë herë për trajtim mjekësor shkoi në Gjermani dhe gjatë operacionit ai mbeti në koma për dy javë, ku më 10 Nëntor të vitit 2013 vdiq pa u dhënë lamtumirën e fundit familjarëve të tij.

Familja e tij bëri kërkesë që heroi Hajriz Kabashi të varrosej në “Varrezat e Dëshmorëve” në Suharekë, por kjo kërkesë u refuzua me premtimin se pas varrimit në varrezat e Krushicës, më vonë do të bëhej rivarrimi i tij, kurse me kalimin e kohës gjetën pretekstin se Kabashi nuk kishte vdekur gjatë kohës së luftës, prandaj nuk mund të rivarroset te dëshmorët.

Familja e tij ende shpresojnë që një ditë kërkesa e tyre do të plotësohet dhe se guximi e gatishmeria e Hjariz Kabashit do të vlerësohet.

Ajo që asnjëherë nuk do të harrohet e mohohet është sakrifica e madhe e të gjithë heronjëve të cilët dhanë jetën për liri, e poashtu edhe të mbijetuarve të cilët përjetuan ato ditë.