Tekstet Shkollore dhe Testi vlerësues i PISA-as

11.08.2022

Shkruan – Refki Gashi Sivjet për herë të tretë institucionet arsimore të Kosovës po e presin vlerësimin ndërkombëtar të PISA-as i cili nuk pritet rangim më të lartë se dy herët e kaluara. këtë e them duke u bazuar në tekstet mësimore të cilat për shumicën e mësuesve tanë janë të vetmet mjete mësimore për…

Tekstet Shkollore dhe Testi vlerësues i PISA-as

Shkruan – Refki Gashi

Sivjet për herë të tretë institucionet arsimore të Kosovës po e presin vlerësimin ndërkombëtar të PISA-as i cili nuk pritet rangim më të lartë se dy herët e kaluara. këtë e them duke u bazuar në tekstet mësimore të cilat për shumicën e mësuesve tanë janë të vetmet mjete mësimore për mësimdhënie.

Shumica e mësuesve tanë (me këtë përgatitje profesionale universitare) nuk kanë guxim të dalin jashtë asaj që është në libër dhe në kurrikul (plan-program) gjatë zhvillimit të mësimit. Janë shpenzuar miliona euro për trajnime ku shumica prej atyre trajnimeve nga vet ata janë shpallur të pavlefshme. Shumë trajnerë janë zyrtarë të DKA-ve e zyrtarë të MASHT-it, të cilët nuk kanë përvojë në mësimdhënie. Mësuesit kanë nevojë për trajnime praktike(konkrete) se si zhvillohet mësimi, për literaturën, si bëhet ora atraktive që nxënësit ta duan lëndën, që nxënësit të motivohen, të aktivizohen duke marrë iniciativa etj etj. Pra trajnerët duhet të japin modele të suksesshme me shembuj konkret e jo teori të thatë e të pakuptueshme për arsimtarët dhe për vet ata.

Testi ndërkombëtar PISA pritet të dal përsëri në fund të ranglistës për shkak të teksteve mësimore të cilat deri më sot nuk kanë pasur konkurrencë, pra ka pasur eliminim(me pikë) të konkurrencës me lidhjet e krijuara. Që dy dekada monopol i teksteve shkollore është Shtëpia botuese “Dukagjini” i cili vazhdimisht ka ardhur duke nxjerr tekste edhe më të dobëta se parapraket. Së fundmi i kanë ngatërruar letërsinë me gjuhën, pra në tekstin e letërsisë ka pasur gjuhë dhe në të gjuhës letërsi.

Tani, për fat të mirë ekziston vetëm Gjuha shqipe ku janë të përfshira të dyja në një libër i ndarë në dy pjesë A dhe B. Pra “Dukagjini” e “Albasi” kanë arritur t’i korruptojnë zyrtarët e Ministrisë së Arsimit për të botuar dhe ata të Drejtorive Komunale për t’i shpërndarë librat e tyre nëpër shkolla. Çdo kush, me një arsimim të mesëm i vëren tekstet e dobëta dhe jo të përshtatshme për nxënësit. Së pari renditja (radhitja) e njësive mësimore nuk është në nivelin e duhur. Pastaj përmbajtja dhe asgjë që tërheq kureshtjen dhe vëmendjen e nxënësit.

Këto shtëpi botuese preokupim kryesor kanë pasur se si t’i korruptojnë zyrtarët e Ministrisë së Arsimit, t’i gjejnë dhe t’i korruptojnë recensentët dhe puna t’u shkojë pa kurrfarë pengese. Për fat të keq, këto shtëpi botuese edhe sot, pas ndryshimeve të skenës politike, po vazhdojnë me të njëjtin avaz, mbase zyrtarët e ministrisë, nuk kanë lëvizur nga aty. Këto shtëpi botuese është dashur Mistria e Arsimit t’i sanksionojë për tekstet e dobëta, në veçanti për librat e gjuhës shqipe(Lexim) e Matematikë, ku dy herë radhazi ishim të fundit. Nxënësit tanë nuk e kuptojnë atë që e lexojnë. Pra, kjo është pasojë e mangësive të teksteve por edhe të kurrikulës. Mungojnë ushtrimet e të lexuarit dhe të kuptuarit për mes pyetjeve dhe përgjigjeve alternative. Përgjigja është brenda tekstit që lexohet aty për aty por nxënësit tanë nuk arrijnë ta kapin atë. Nuk është vetëm kjo mangësi, lenë edhe shumë për të dëshiruar…

Recensentë të mirë janë ata që kanë punuar vazhdimisht me nxënës për dekada me radhë e jo ata që kanë tituj shkencor, pa kapur kurrë ditar me dorë dhe pa u ballafaquar me problemet e përditshme në mësimdhënie e mësim-nxënie. Kuptohet të jenë ata mësimdhënës që kanë pasur rezultate të larta e të dëshmuara. Nuk përjashtohet mundësia edhe e ndonjë shtëpie botuese tjetër përveç këtyre dyjave që është në të njëjtin rrugëtim me blerje të zyrtarëve dhe të recensentëve.

Fajtor kryesor për këtë gjendje të arsimit është vet Ministria e Arsimit ku disa zyrtarë të lartë, (të korruptuar) po ua mundësojnë vetëm atyre dy shtëpive, (eventualisht edhe ndonjë të treti) të cilat njëherësh po e mbysin konkurrencën e lirë e të shëndetshme. Pra janë “vlerësuar” vetëm shtëpitë botuese dhe aspak puna e autorëve të librave. Dëshmi dhe fakt i padiskutueshme për këtë që u tha është vlerësimi ndërkombëtar i PISA-as.

Etiketat

Ofertat e fundit