Parashikimet e bastoreve për Zgjedhjet e 6 Tetorit (Pjesa I-rë)

12.11.2019

Shkruan: Herolind Bytyçi – satirist Kishin kaluar të paktën dhjetë minuta që më ishte servuar kafeja në një prej restoranteve të cilin e frekuentoj pothuajse çdo ditë e që gjendet diku në periferi të qytetit, kafe të cilën as nuk e kisha përzier që të tretej sheqeri.  Jam i bindur që ishin më shumë se […]

Parashikimet e bastoreve për Zgjedhjet e 6 Tetorit (Pjesa I-rë) Foto: Ilustrim

Shkruan: Herolind Bytyçi – satirist

Kishin kaluar të paktën dhjetë minuta që më ishte servuar kafeja në një prej restoranteve të cilin e frekuentoj pothuajse çdo ditë e që gjendet diku në periferi të qytetit, kafe të cilën as nuk e kisha përzier që të tretej sheqeri.  Jam i bindur që ishin më shumë se dhjetë minuta, aq sa mjaftonte që të humbja për të disatën herë radhazi në një lojë në telefon, e cila jo vetëm që nuk ishte në trend dhe që pothuajse çdo minutë shfaqte reklama të ndryshme sa për të më ikur trurin por ishte edhe nga ato lojë që edhe pse çdo herë humbisja prapë e bindja veten se herën tjetër do të fitoj.

E lashë, jo pse u dorëzova, se sa për atë kisha lidhur një lloj inati me veten dhe telefonin,  por një zë tashmë të njohur për veshin tim që erdhi fuqishëm nga tavolina mbrapa meje, sikur të ishte i dedikuar që vetëm unë ta dëgjoja, intensiteti i të cilit vazhdimisht vinte e rritej. Pa u menduar ktheva kokën ta vërtetoja se a ishte “Ai” që në bazë të ngjyrës së zërit e njoha paraprakisht dhe rezultoi që kisha të drejtë, ishte “Ai”.  “O burrë në sondazhe po dalim mbi 40%” ishte shprehje që vazhdimisht përsëritej me ton të lartë pak si me qëllim që klientela të kuptonte fitoren e madhe dhe të sigurt që së shpejti do të vinte dhe pak nga biseda e tensionuar që kishte me tre kolegët e tjerë, “Ai”.

“Scrivimi” ishte kënga që po interpretohej në sfond, e kënduar nga Laura Pausini, të cilën e kisha dëgjuar për herë të parë në një prej serialeve italiane që transmetohej në një prej  televizioneve vendore vite më parë  dhe më pastaj në disa vetëshërbime dhe restorante që faktikisht në këtë rast ka shumë pak rëndësi se kur dhe çfarë, por që në bisedën e toneve të larta dhe te protagonistët e saj në tavolinën mbrapa meje kishte rolin e benzinës në zjarr, secili kishte një dozë të shtuar të tonit, këtë e kuptoja për faktin se sa herë interpretohej refreni i këngës dukej që ishte inspirues, që ju krijonte vetëbesim të shtuar.

Derisa po porositja kafenë e dytë për nga radha e porosisë sime, por e para që do ta pija aty, shkarazi prapë dëgjoja emra të fshatrave dhe lagjeve se kush ishin të rreshtuar drejt partisë së tyre dhe me cilët duhet punuar më shumë.” Me kta Elshant qysh jan punt e” (nuk dëgjohej më) si për inat! “Ai” kishte një vështrim sa serioz aq edhe relaksues si dhe atë pjesën e bindjes që në sondazhe ishin mbi 40% e tregonte edhe me fytyrën e tij, saqë sa herë që e përsëriste fytyra e tij disi tregonte një dozë nervozizmi të shtuar sikur kolegët e tij nuk dëshironin ti besonin.

Qëndrimin e kishte të relaksuar sikur ndodhej në ndonjë ulëse, nga ato të pashallarëve,  në anësoret e së cilës kishte mbështetur bërrylat dhe kishte filluar të paloste mëngët e këmishës deri mbi gjysmën e parakrahut. Kishte të veshur një këmishë ngjyrë qielli e cila nga ndriçimi i restorantit që kishte mbi kokë nuk dukej se ishte nga ato të shtrenjta, më shumë më gjasonte në ato të cilat dhurohen në dasmat tona, që janë pothuajse të tejdukshme dhe që kanë një kosto jo të madhe, këmishë kjo të cilën e kishte kombinuar me një kravatë ngjyrë të kaltër që ngapak anonte në të gjelbër ose një kombinim i këtyre dyjave që padyshim ishte e shtrenjtë. Në momentin që paloi mëngët aty për aty më krijoi dy përshtypje: sikur donte të rriste dozën e besueshmërisë së sondazheve të tij me ndonjë informacion shtesë ose donte ti udhëzonte për hapat e mëtutjeshëm për një fitore edhe më bindëse sipas vizionit të tij largpamës e cila me gjasë do ta kalonte edhe përqindjen e  sondazhit të tij të bërë gjetiu. U gabova! Në fakt ishte aroma e ushqimit që gjendej në pjatën që do ti servohej atij të cilën nuk e di se si por “Ai” e kishte nuhatur që po udhëtonte drejt tavolinës ku “Ai” ishte ulur, tavolinë e cila sa për mos rehatinë e tij përveq  që gjendej pothuajse e rrethuar me tavolina të tjera me klientelë, gjendje edhe afër tavolinës ku isha ulur unë, jo për ndonjë arsye që kisha apo kam peshë që “Ai” të ndërronte diskursin e bisedës, por pse po dëgjoja tonet e larta që nuk ishin rezultat i pranisë apo mos pranisë sime. Kisha ndërruar karriken me atë përballë me arsyetimin në heshtje kinse isha i interesuar të ndiqja një ndeshje futbolli që po transmetohej, sport për të cilin në fakt nuk di ti them dy fjalë, e sa për të ta forcuar këtë arsyetim entuziazmohesha nga aksionet e lojtarëve duke ndryshuar shprehje në fytyrën time, thjeshtë aktroja.

Ushqimin e hante pa kontroll, njëkohësisht fliste, ndonjëherë edhe me gojën gjysmë plotë, ushqimin sikur nuk e përtypte mirë dhe vetëm e kapërdinte njëkohësisht duke nxjerrte një zë që mezi dilte “Jo ashtu nuk ban! Sonte e shihni qysh ja bajm” (edhe pikë)- këtë siguri që e kishte në vete mua më dukej se më shumë ishte i sigurt në fitoren në zgjedhje sesa që nuk do të asfiksohej nga ushqimi pothuajse i papërtypur që e kapërdinte. Gjersa përtypej kinse padashje kthente shiqimin drejt tavolinës time dhe kur e shihte që unë isha duke përcjellur me vëmendje mbarëvajtjen e ndeshjes rehatia e tij sa vinte e rritej.

Njiheshim padyshim, por edhe nuk njiheshim! Njiheshim deri në atë masë sa që ishte në interes të tij, e nuk njiheshim prej aty ku rrezikohej pozita e tij, e sidomos në atë çfarë mbronte dhe çka përfaqësonte. “Ai” kishte një organizim dhe strategji  mbi socializimin në fakt të menduar mirë por të “kopjuar” të Hashim Thaçit, ku për fat jo të mirë të tij dhe rrethit të tij për intersa personale dhe karrieriste ishte një “kopje” e mirë e Hashim Thaçit, nga i cili dallonte për faktin se Thaçi është lojtar i dalluar në terrene të vështira ose ndryshe thënë në paralelen e  futbollit, Thaçi dallohet si lojtar i zoti në stadiume si Camp Nou, ndërsa ky në ndonjë stadium vendor por që lëvizjet e tij premtonin që me punë edhe më të madhe pas disa vitesh mund të arrinte që të paktën të ushtrohej në Camp Nou.

Numrat e rezultatit të ndeshjes tregonin 0-0, të cilët më ishin fiksuar, madhësinë e të cilëve herë pas here e krahasoja me madhësinë e numrave të minutave të ndeshjes në të cilët fokusohesha aq shumë saqë kur ktheva shiqimin (kinse shkarazi) tek “Ai” në syzet e tij më vizatoheshin “zerot”. Nuk e kisha vërejtur që i kishte vendosur syzet, shumë gjëra më kishin ikur nga “:interesimi” për ndeshjen. Kishte vendosur syzet në majë të hundës dhe po shikonte në telefonin e tij që e mbante në dorën e djathtë gjersa të majtën e përdorte për të larguar mbetjet e ushqimit ndërmjet dhëmbëve dhe këtë me thonin e gishtit të vogël. Gjersa “Ai” ishte futur thellë në telefonin e tij, një pjatë e dytë po servohej në tavolinën e tij, aromën e ushqimit që kishte e nuhata edhe unë. Nuk ishte aromë e zakonshme, e provuar po, por jo e zakonshme, mu krijua përshtypja dhe kisha hamendësim nëse ishte diçka e idhët ose e thartë. Më shumë anoja tek e idhëta, nëse krahasoja këto dyja e tharta më dukej më e pranueshme dhe më e lehtë sikur të diskualifikoheshe në një kampionat në ndonjë fshat ku nuk ndaheshin çmime as për fituesin, ndërsa e idhëta ishte krejt ndryshe, sikur për ekipin në ndeshjen që po ndiqja që padyshim ishte duke humbur në kampionatin e nivelit kombëtar dhe që golat që tashmë kishin pranuar tri gola duke mos shënuar asnjë dhe atë si nikoqir të ndeshjes, pra ishte humbje e thellë, tamam e idhët. Tri gola të pranuara për ekipin nikoqir në ndeshjen që zhvillohej tamam tri ditë para datës 6 tetor 2019.

Në fakt nga ndeshja kuptova që pavarësisht humbjes dhe zhgënjimit ende ekziston vullneti për tu rimëkëmbur deri në kampionatin e ardhshëm, vetëm se këtë radhë duke punuar me plan konkret, me një ekip profesionistësh dhe jo duke u bazuar në parashikime të bastoreve. Gjithsesi duke vlerësuar edhe kundërshtarët!

Tre ditë ishin në pyetje para definimit saktë nëse pjata kishte ushqim me shije të idhët apo të thartë.

vazhdon…