Ankthet s’kanë të ndalur!

Shkruan – Xhemajl Kolgeci

Murmuritjet dhe lutjet po bëhen gjithnjë e më të mbytura. Gulçimat shpërthejnë papritmas. Kipcat tentojnë të përmbysin çdo gjë, përfshirë vlerat njerëzore nga smira dhe ligësia. Shpresat tani, më të luhatura se kurrë, sa shumë rëndojnë.

Një dritë e zbehtë vezulluese lundron qiejve. Kur do të zë vend në këtë hapësirë për të lehtësuar shpirtra anë e mbanë. Hiena ogurzeza të së kaluarës nxjerrin kokën duke lëshuar urrejtjen helmuese për shfarosje. Të tillët duan mjegull, ata gërmojnë për të gjetur qime në oqeanin e thellë, kristal.

Vranësirat e zeza skëterrë, të trishta nuk ua lëshojnë hapësirën kthjelltësisë së kristaltë. Smirëzinjtë vazhdojnë të turbullojnë mendjet e cekura për të besuar gjëra të paqena, të trilluara nga fantazia e sëmurë për pushtet. Analogjitë të kujtojnë vargjet e Nolit: 

                      Lehni kaba hosana baraba (lehni qen rroftë baraba)

Pas arritjes së demokracisë dhe lirisë së popullit nga feudalët, ndodhi sërish përmbysja. ​​​​​​​​​​​Krrokatje të frikshme korbash vërdallisën honeve të errësuara. Klithmat dëgjohen në të gjitha kahet. Sa shumë po na i helmojnë çastet e lumtura të fitores, fitores ndaj së keqes, e keqe e cila si një fantazmë po pështjellohet gjithandej. Nga po vjen ky mallkim për këtë popull të shumëvuajtur. 

​Turbullirat s’kanë të ndalur! U turbullua e doli nga rrjedha edhe Lumi Vjosa. Sa i kthjellët ishte gjatë korrje-fshirjeve, se çfarë i ndodhi!? Thuhet se është trazuar nga tre lumenj të tjerë, nga ndyrësira e tyre. Ata paskan qenë të tillë edhe më parë.  

Na mbetet të shpresojmë në kthjelltësinë e tyre…  Amen!