Ajo që ka ndodhur në Mushtisht në prillin e vitit 1999, nuk guxon kurrsesi të harrohet, e as të shtrembërohet

19.04.2021 / OP-ED

Ajo që ka ndodhur në Mushtisht në prillin e vitit 1999, nuk guxon kurrsesi të harrohet, e as të shtrembërohet
Foto: Ilustrim

Shkruan – Selim Tahiri

Muaji prill na zgjon shumë kujtime. Në këtë muaj kujtojmë dëshmorët, martirët, kujtojmë të gjithë ata që ranë për liri. Në këtë muaj më së vështiri e kanë familjet Bytyçi, Aliu e Ibrahimi. Të dashurit e tyre, Aliu, Gazmendi dhe Shpendi, më 8 prill të vitit 1999, u zunë në pritë dhe u masakruan në mënyrën më çnjerëzore. Dëshmitarët tregojnë se britmat e tyre, u dëgjuan larg, e dridhën token, i trembën dhe zogjtë e malit.


Edhe pse kanë kaluar plot 22 vite, vëllai i Aliut, i ka shumë të freskëta kujtimet, ‘ Aliu ka qëndruar plot gjashtë muaj në Maqitevë. Gjatë këtyre muajve ka ardhur shpesh në shtëpi dhe është kthyer prapë. Kur fshati ynë filloi të digjet me 3 prill, Aliu ishte në Maqiteve. Atë ditë, edhe unë bashkë me shumë të tjerë ikëm në Maqitevë. Na thanë të flinim në odën e Hamëz Bajramit. Ishim shumë, Ruzhdi Hamiti, Kadri Hamiti, Halim Hamiti, Feim Hamiti, Skender Bytyçi. Natën e 5 prillit, Aliu ishte caktuar roje. Na thanë se nëse nuk hynë serbët në Maqiteve, të shkonim e të merrnim bukë te shtabi, në të kundërtën duhet të zgjoheshin natën e të iknim. Dhe ashtu ndodhi. Ishte ora 3 ose 4 e mëngjesit. Erdh vëllai im Aliu, na tha se duhet të iknim menjëherë se ishte shumë rrezik të na zinin ushtria serbe. Ky ishte edhe takimi i fundit me Aliun. Nuk patëm mundësi as të përshëndetemi. Unë me një grup civilësh ikëm në fshatin Llanishtë, kurse Aliu me disa pjesëtarë të UÇK-së në drejtim të Gurit të Dellocit dhe më pas në bjeshkën e Mushtishtit.’

Ishte data 8 prill. Aliu, Gazmendi e Shpendi, kishin vendosur të hynin në fshat për të marrë ushqim. Ata që kishin qenë me ta, kot ishin munduar t’i ndalnin. Kështu, kishin filluar të zbrisnin ngadalë, pa qenë të vetëdijshëm se forcat militare e paramilitare po vëzhgonin çdo hap të tyre. Pak para se ta kalonin rrugën shumë afër shtëpisë së Shpendit, kapen nga ushtarë e paramilitarë serbë. Dëshmitarët tregojnë se britmat e tyre janë dëgjuar shumë larg, dukej sikur toka po dridhej, u trembën dhe zogjtë e malit. I kanë masakruar në mënyrën më çnjerëzore, e më pas i kanë vrarë me plumba. Dhimbja bëhet edhe më e madhe për familjen e Aliut, kur kujtojnë se ai u masakrua në ditëlindjen e tij të 23-të.

Trupat e këtyre tre të rinjve, bashkë me trupin e Idriz Demirit, i cili ishte kapur në Savrovë, u gjetën në një gropë te tyrbja në Suharekë, më 22 shtator. Trupat e Aliut, Gazmendit dhe Shpendit, u varrosën në varrezat e fshatit me dhimbje të madhe. Pas një muaji, trupi i Gazmend Aliut, zhvarroset për t’u varrosur sërish në Suharekë,tani tek varrezat e dëshmorëve.

Inderi, vëllai i Aliut, shprehet shumë i zhgënjyer më këtë trajtim të pabarabartë, ‘ Ata ishin shokë. Nuk u ndanë për asnjë moment. U nisën bashkë për të marrë ushqim. E pane tmerrin me sy. I dëgjuan britmat e njëri tjetrit. Ranë bashkë për liri dhe do duhej të trajtoheshin njësoj.

Edhe vëllai i Shpendit, Ibrahimi është i të njëjtit mendim, ‘ Të gjithë e dinë se kjo është një padrejtësi e madhe. Nuk jemi aspak kundër shpalljes dëshmor të Gazmendit, përkundrazi, jemi krenarë, as nuk dëshirojmë të bëjmë përqarje, por ashtu si kanë rënë bashkë ashtu edhe duhej të trajtoheshin.

Parandalimi është shërim! Tumor markerët dhe roli i tyre në diagnostifikimin e kancerit

Tumor markerët janë substanca që lëshohen nga qelizat kancerogjene ose prodhohen nga trupi në reagim ndaj një tumori malinj ose...

Lexo më shumë
KOMENTE0

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *