Xhaka mund të jetë i vetmi shqiptar startues te Zvicra për Euro 2024

07.03.2024

Kanë mbetur edhe 100 ditë nga fillimi i Kampionatit Evropian i futbollit.

Xhaka mund të jetë i vetmi shqiptar startues te Zvicra për Euro 2024 Foto: Ilustrim

Dhe, mediumi zviceran “Blick” ka nisur t’i bëjë llogaritë qysh tash, duke e formuar një formacion të mundshëm se si do të mundë të luajnë “Helvetikët” në Euro 2024, përcjell “Gazeta Express”.

Ekipi i Murat Yakin do të luajë më 15 qershor ndaj Hungarisë dhe mediumi zviceran e ka publikuar 11-shen që mund ta nisë këtë lojë: Summer; Widmer, Akanji, Elvedi, Rodriguez; Zakaria, Xhaka, Freuler; Vargas, Embolo, Okafor.

Ylli kosovar po shkëlqen në Gjermani me Bayer Leverkusenin dhe paraqitja e tij nga minuta e parë duket se është e padiskutueshme.

Por, në formacionin titullar nuk e shohim edhe shqiptarin tjetër, Xherdan Shaqiri, i cili ka qenë njëri prej lojtarëve kryesorë në Evropianët dhe Botërorët e fundit.

Futbollisti nga Zhegra e Gjilanit duket se do ta humbasë statusin e titullarit për faktin se po luan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një ligë kjo e nivelit më të ulët, ndërkohë që lojtarët tjerë zviceranë po shkëlqejnë në ekipet e tyre në Evropë.

Sidoqoftë, zviceranët llogarisin edhe në ndihmën dhe në kontributin e ish-futbollistit të Baselit, Bayern Munichut, Interit, Stoke Cityt, Liverpoolit e Lyonit, i cili ka përvojë të jashtëzakonshme dhe di të jetë lojtari vendimtar i lojës.

Mbetet të shihet nëse krahas Xhakës e Shaqirit, Zvicra do ta ftojë edhe ndonjë shqiptar tjetër si Ardon Jashari për shembull, i cili ishte pjesë e “Helvetikëve” në Botërorin e fundit, apo edhe sulmuesi Andi Zeqiri.