Trump paralajmëron Iranin: Do të përballeni me pasoja të rënda nëse s’ka marrëveshje
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin se do të përballet me “kohë shumë të keqe” nëse nuk arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund tensioneve mes palëve.
Në një intervistë për transmetuesin francez BFMTV, Trump deklaroi se Irani ka interes të arrijë një marrëveshje, por shtoi se nuk është i sigurt nëse kjo mund të ndodhë së shpejti.
“Nuk kam asnjë ide. Nëse nuk e bëjnë, do të kalojnë një kohë shumë të keqe”, tha ai.Deklaratat e Trump vijnë në një periudhë tensionesh të larta, ndërsa mediat amerikane kanë raportuar për përgatitje të mundshme ushtarake nga SHBA-ja dhe Izraeli ndaj Iranit, pas armëpushimit të muajit të kaluar.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se mes Teheranit dhe Uashingtonit vazhdon të ekzistojë mosbesim i thellë lidhur me programin bërthamor iranian.
Sipas tij, negociatat aktualisht nuk janë aktive, por mund të rifillojnë nëse të dyja palët tregojnë gatishmëri dhe seriozitet për një marrëveshje të drejtë.
