Ronaldo: S’më ka mbetur shumë kohë, po e shijoj çdo moment

para 4 dite

Cristiano Ronaldo ishte prapë protagonist mbrëmë në fitoren e Al-Nassr ndaj Al-Rayyan me rezultat 2:1 në AFC Champions League.

Ronaldo: S’më ka mbetur shumë kohë, po e shijoj çdo moment Foto: Ilustrim

Ylli portugez e realizoi një gol mjaft të bukur me të majtën në minutën e 76-të për t’ia siguruar fitoren ekipit saudit.

Me këtë rast, 39 vjeçari arriti në kuotën e 71 golave, ndërsa i ka bërë edhe 17 asistime me klubin nga Pro Saudi League.

Përkundër moshës së shtyrë, portugezi nuk ka shfaqur shenja lodhjeje apo rënie të formës fizike apo teknike, shkruan “Gazeta Express”.

Ai i realizoi 50 gola me ekipin nga Arabia Saudite në vitin e kaluar, ndërsa synon të vazhdojë të shënojë gola të tjerë, ndonëse e pranon se nuk i ka mbetur shumë kohë e gjatë për të luajtur futboll.

Goli i mbrëmshëm i Ronaldos ishte special pasi atë ia dedikoi babait të tij të ndjerë, i cili kishte ndërruar jetë në vitin 2005.

“Ne e bëmë një paraqitje të shkëlqyeshme, krijuam shumë raste. Goli i sotëm ka shije tjetër. Do të doja që babai im të jetë gjallë sepse sot është ditëlindja e tij”, tha ish-futbollisti i Sporting Lisbonës, Manchester Unitedit, Real Madridit dhe Juventusit.

Ronaldo e shënoi golin e 904-t në karrierë dhe ai nuk e ka fshehur dëshirën për ta arritur numrin jubilar prej 1000 golash në karrierë.

CR7 ka kontratë me Al-Nassr deri në vitin 2025, por palët po negociojnë që ajo të vazhdohet edhe për një vit.

Synim tjetër i Ronaldos është që të luajë në Kupën e Botës 2026 me Portugalinë dhe pas tij, me gjasë, të pensionohet nga futbolli.

“Unë ende kam dëshirë të luaj futboll dhe e di se nuk më ka mbetur shumë kohë në fushën e blertë. Gjëja më e rëndësishme është që të mos konsiderohesh lojtari më i mirë apo të fitosh trofe gjithsesi. Gjëja më e rëndësishme është që ta shijosh këtë sport dhe të jesh i përdorshëm dhe i dobishëm për klubin dhe për Kombëtaren. Rekordet janë pjesë e imja dhe jam mësuar t’i thyej ata. E kam ndier presionin që nga dita e parë dhe mendoj se do ta ndiej deri në ditën e fundit”, përfundoi Ronaldo.

Ajo që e bën më madhështor këtë super-lojtar është se portugezi ka shënuar më shumë gola pas moshës 30 vjeçare sesa para saj.

Në fakt, para se t’i mbushte 30 vjet, Ronaldo i kishte realizuar 440 gola në 596 ndeshje zyrtare.

E pas të 30-tave, CR7 i ka shënuar 441 gola, pra një më shumë, në 523 ndeshje zyrtare.

Pra, Ronaldo po tregohet si vera e kuqe, sa më i vjetër, aq më i mirë.