Përshkallëzohen tensionet, SHBA-ja godet objektiva ushtarake në Iran
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë sulme ajrore ndaj disa objektivave ushtarake në Iran, pas një sulmi me dron ndaj një anijeje mallrash në Ngushticën e Hormuzit, për të cilin Uashingtoni fajësoi Teheranin.
Foto: Ilustrim
Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), sulmet kanë pasur në shënjestër depot e raketave dhe dronëve, si dhe pozicionet bregdetare të radarëve iranianë. Autoritetet amerikane thanë se veprimi erdhi si përgjigje ndaj asaj që presidenti Donald Trump e cilësoi si një “shkelje të pamend” të armëpushimit.
Nga sulmi ndaj anijes nuk u raportuan viktima, megjithatë incidenti shkaktoi një operacion të gjerë evakuimi në rajon, ku mbi 11 mijë marinarë u vendosën në gatishmëri për arsye sigurie.
Pak para njoftimit për sulmet, presidenti Trump, i pyetur nëse SHBA-ja do t’i përgjigjej Iranit, deklaroi shkurt: “Do ta shihni”.
