Sallahu: Mbi 12 milionë euro pasuri të konfiskuara, ngrira dhe sekuestruara gjatë katër viteve
Ministria e Drejtësisë ka bërë publike të dhënat për periudhën 2021–2025, ku pasuritë e sekuestruara, konfiskuara dhe ngrira të administruara nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar (AAPSK) arrijnë në mbi 12.3 milionë euro.
Foto: Ilustrim
Sipas raportit, mbi 9.4 milionë euro janë pasuri të sekuestruara, mbi 2.5 milionë euro të konfiskuara dhe 297 mijë euro pasuri të ngrira.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, tha se këto shifra pritet të rriten ndjeshëm pas hyrjes në fuqi të ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, e cila sipas tij do të targetojë pasurinë e përfituar në mënyrë të paligjshme nga zyrtarë publikë.
“Ky institucion nuk do të tolerojë më përfitime të rastësishme nga ata që nuk arrijnë të dëshmojnë prejardhjen e pasurisë së tyre. Pasuritë e tilla do të sekuestrohen dhe konfiskohen, për t’u kthyer më pas te qytetarët si pronarët legjitimë”, theksoi Sallahu.
Ai nënvizoi se vonesa në Gjykatën Kushtetuese ka penguar funksionalizimin e Byrosë, por theksoi bindjen se me hyrjen e saj në fuqi, koncepti i drejtësisë do të gjejë efikasitetin e plotë.