Kufiri Kosovë-Shqipëri, arrestohen dy persona me drogë të fshehur në automjet

21.08.2025

Policia kufitare në pikën e kalimit Morinë ka arrestuar dy shtetas që tentuan të kalonin kufirin Shqipëri–Kosovë me një automjet, në të cilin kishin fshehur lëndë narkotike.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit të detajuar të automjetit tip “Suzuki Vitara”, me drejtues R. V., 29 vjeç, dhe pasagjer M. C., 31 vjeç, të dy banues në Gjermani, policia ka gjetur në kroskot të fshehur një sasi të konsiderueshme kanabisi.

Po ashtu, gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të automjetit, policia ka zbuluar edhe një sasi kanabisi në formë çokollate.

Lënda narkotike së bashku me automjetin janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa pas përfundimit të veprimeve procedurale, specialistët e DVP Kukës kanë arrestuar në flagrancë dy shtetasit për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme ligjore.