Zyrtarisht hiqen vizat për shtetasit e Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë
Gjatë ditës në Strasburg është nënshkruar dekreti për heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës që mbajnë pasaporta të lëshuara nga Serbia.
Siç raporton mediumi serb “Tanjug”, dekreti është nënshkruar nga kryetarja e Parlamentit Evropian (PE) Roberta Metzola dhe ministri i Çështjeve Evropiane të Hungarisë, Janos Boka, si përfaqësues i vendit që kryeson Këshillin e BE-së.
Ndërkaq, kujtojmë se më 22 korrik Këshilli i ministrave i Bashkimit Evropian mori vendim për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë që jetojnë në Kosovë, të cilët pajisen me dokumente nga e ashtuquajtura “Drejtoria koordinuese” në Beograd.
Ky vendim i BE-së kishte nxitur reagimin e Qeverisë së Kosovës, e cila tha se pasaportat e serbëve të Kosovës të lëshuara nga autoritet e Serbisë, për Kosovën vazhdojnë të jenë të pavlefshme dhe si të tilla janë ilegale.
“Ato pasaporta do të vazhdojnë të mos njihen nga autoritetet tona. Secili qytetar i vendit, nga secili komunitet, ka të drejtën e plotë që të përfitojë nga lëvizja e lirë pa viza, përmes pasaportës së Kosovës. Ndaj, justifikimi i përdorur se bartësit e këtyre pasaportave ilegale do të mbeten të izoluar, është i pasaktë dhe në shpërputhje me realitetin”, thuhet në reagimin e Qeverisë.