Zvicra rrit praninë ushtarake në Kosovë, Senati miraton deri në 300 pjesëtarë të Swisscoy

16.06.2026

Senati i Zvicrës ka miratuar rritjen e numrit të ushtarëve që mund të angazhohen në kuadër të misionit paqeruajtës Swisscoy në Kosovë, duke i hapur rrugë qeverisë zvicerane që të vendosë deri në 300 pjesëtarë ushtarakë në vend.

Vendimi vjen pasi propozimi kishte marrë më herët mbështetjen edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve. Deri më tani, numri maksimal i ushtarëve zviceranë të angazhuar në Kosovë ishte 215.

Parlamenti zviceran ka autorizuar gjithashtu Këshillin Federal që, në rast nevoje, të dërgojë edhe deri në 85 ushtarë shtesë për një periudhë të pacaktuar kohore.

Fillimisht, Senati kishte propozuar një rritje më të kufizuar të kontingjentit, me vetëm 30 ushtarë shtesë, por në fund mbështeti variantin e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Po ashtu, autoritetet zvicerane kanë vendosur që misioni Swisscoy në Kosovë të vazhdojë deri në vitin 2029.

Ky vendim vjen në një periudhë kur NATO ka paralajmëruar mundësinë e një reduktimi gradual të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, duke e bërë angazhimin e Zvicrës edhe më të rëndësishëm për misionin ndërkombëtar të sigurisë në vend.