ZRRE sqaron procesin e liberalizimit të tregut të energjisë: “Detyrim ligjor dhe evropian, në të mirë të konsumatorëve”
Pas reagimeve për shkyçjen e disa bizneseve nga rrjeti i energjisë elektrike, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka dalë me një komunikatë për media, duke ofruar sqarime të hollësishme rreth procesit të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë.
Foto: Ilustrim
ZRRE thekson se liberalizimi i tregut nuk është një vendim i momentit, por një detyrim i përcaktuar me ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës që nga viti 2016. Në atë kohë, sipas komunikatës, Kuvendi transpozoi direktivat evropiane për energjinë, të cilat obligojnë Kosovën që të hapë tregun e energjisë elektrike.
“Ky proces derivon nga obligimet kontraktuale që ka Republika e Kosovës si palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Nga viti 2017, ZRRE ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore dhe rregullative për krijimin e kushteve për liberalizim”, thekson institucioni.
Vonesat dhe rifillimi i procesit
ZRRE kujton se procesi kishte nisur më 2017 me daljen në treg të konsumatorëve industrial, por u përball me vonesa për shkak të pandemisë COVID-19 dhe krizës energjetike ndërkombëtare. Megjithatë, nga 1 qershori 2025, institucioni ka vazhduar zbatimin e reformës, duke e cilësuar atë si të domosdoshme për funksionimin e tregut dhe për interesin e konsumatorëve fundorë.
Konkurrencë në vend të monopolit
Në komunikatë nënvizohet rëndësia e këtij ndryshimi. “Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është i rëndësishëm jo vetëm për përafrimin me direktivat evropiane, por edhe sepse krijon konkurrencë në një treg që deri më tani ka funksionuar si monopol”, sqaron ZRRE.
Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht janë të licencuara 23 kompani për furnizim me energji elektrike, prej të cilave 7 furnizues aktivë kanë lidhur kontrata me konsumatorët.
Situata me ndërmarrjet ekonomike
Në tregun e hapur, gjithsej 9,963 pika matëse të ndërmarrjeve ekonomike i plotësojnë kriteret për t’u furnizuar nga furnizuesit e licencuar. Nga to, 9,212 pika matëse (92%) tashmë kanë kontrata komerciale, ndërsa 751 pika matëse (8%) janë ende pa furnizues.
ZRRE siguron se asnjë konsumator nuk është lënë pa energji, pasi që nga 1 qershori 2025 edhe këto pika matëse janë furnizuar përkohësisht me energji, duke pasur mundësinë të zgjedhin furnizuesin e tyre.
Furnizuesi i Mundësisë së Fundit
Për të shmangur ndërprerjen e menjëhershme të energjisë, ZRRE ka përcaktuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF). Kjo masë u ka mundësuar konsumatorëve që deri më 1 qershor nuk kishin lidhur kontrata komerciale të furnizohen për një periudhë 60-ditore. Pas kësaj periudhe, sipas ligjit, konsumatorët që nuk arrijnë marrëveshje me ndonjë furnizues të licencuar do të përballen me ndërprerjen e energjisë elektrike.
Thirrja e ZRRE për konsumatorët
Institucioni inkurajon të gjithë konsumatorët që plotësojnë kriteret për të hyrë në tregun e hapur që të mos vonojnë nënshkrimin e kontratave. “Konsumatorët që ende nuk kanë zgjedhur furnizues duhet sa më shpejt të lidhin kontratë me njërin nga furnizuesit e licencuar, për të garantuar furnizim të qëndrueshëm”, thuhet në komunikatë.
Përkushtim për transparencë dhe standarde evropiane
ZRRE thekson se mbetet e përkushtuar për të zbatuar reformën në mënyrë transparente dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e Bashkimit Evropian.
“ZRRE mbetet e përkushtuar të zbatojë këtë reformë në mënyrë transparente, të drejtë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet evropiane”, përfundon deklarata.