Zëdhënësja e KE-së: Kosova dhe Serbia rrezikojnë humbjen e mundësive nga Plani i Rritjes nëse s’kanë progres në dialog

05.07.2024

Zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero, ka thënë se janë në pritje të finalizimit të agjendave të reformave nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të proceduar me Planin e Rritjes të BE-së për rajonin.

Zëdhënësja e KE-së: Kosova dhe Serbia rrezikojnë humbjen e mundësive nga Plani i Rritjes nëse s’kanë progres në dialog Foto: Ilustrim

“Jemi duke pritur nga të gjithë partnerët që të finalizojnë agjendat e reformave. Siç e dini, agjendat e tyre të reformave përfshijnë fushat socio-ekonomike. Dhe, sigurisht, kur t’i marrim këto agjenda reformash, do të mund t’i vlerësojmë dhe miratojmë, padyshim pas konsultimit me vendet anëtare. Pra, kjo është ende duke pritur partnerët e Ballkanit Perëndimor”, tha ajo në konferencën e sotme për media.

Ndërkaq, për rastin e Kosovës dhe të Serbisë, ajo tha se për këto shtete është i vendosur parakushti që lidhet me progresin në rrugën e tyre drejt normalizimit të raporteve, derisa tërhoqi vërejtjen për vendet se rrezikojnë të humbin shumë mundësi nëse mungon progresi i kërkuar, raporton Gazeta Express.

“Kur është puna te Kosova dhe Serbia është një parakusht për të bashkëpunuar në një mënyrë konstruktive në kornizën e zotimeve të dialogut dhe sigurisht kjo është një gjë që do të monitorohet dhe ne jemi duke pritur nga palët që të dërgojnë agjendat e tyre të reformave. Të dyja palët rrezikojnë të humbin mundësi të rëndësishme në mungesë të progresit”.

Në maj të këtij viti, Këshilli i BE-së ka miratuar Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili synon të mbështesë reformat e lidhura me BE-në dhe rritjen ekonomike në rajon.

Ky plan parasheh 6 miliardë euro për reforma serioze ekonomike dhe strukturore, përmes së cilave vendet e Ballkanit Perëndimor mund të shënojnë përparim më të madh në procesin e integrimeve europiane.

Nga 6 miliardë euro, 2 miliardë do të jepen si grante pa kthim, ndërsa 4 miliardë në formën e kredive të favorshme.

Për dallim nga katër vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova dhe Serbia janë kushtëzuar me progres në procesin e dialogut për normalizim marrëdhëniesh.