Virusi Nipah rikthehet në vëmendje globale: Ekspertët bëjnë thirrje për informim, jo panik
Virusi Nipah ka rikthyer shqetësimet në nivel global, ndërsa ekspertët e shëndetit publik paralajmërojnë për rrezikun e tij të lartë në rast shpërthimesh, pavarësisht se mbetet një virus i rrallë.
Foto: Ilustrim
Sipas profesionistit të shëndetit publik Naser Ramadani, ajo që e bën veçanërisht shqetësues virusin Nipah është shkalla shumë e lartë e vdekshmërisë, e cila në shpërthimet e kaluara ka variuar nga 40 deri në 75 për qind.
Megjithatë, Ramadani thekson se qytetarët duhet të jenë të informuar dhe jo të frikësuar, duke sqaruar disa fakte kyçe për të shmangur dezinformimin dhe panikun e panevojshëm.Virusi Nipah është një sëmundje zoonotike, që do të thotë se mund të kalojë nga kafshët te njerëzit.
Burimi kryesor i infeksionit janë lakuriqët e frutave të familjes Pteropodidae, të cilët nuk gjenden në Shqipëri dhe Kosovë. Lakuriqët që jetojnë në këto zona janë insektivorë dhe nuk ushqehen me fruta.Aktualisht, virusi nuk përhapet përmes ajrit, ndërsa simptomat përfshijnë ethe, dhimbje koke, konfuzion, vështirësi në frymëmarrje, lodhje, të vjella dhe diarre.
Në raste të rënda, sëmundja mund të shkaktojë ënjtje të trurit (encefalit) dhe vdekje. Rreth 20% e të mbijetuarve mund të përballen me pasoja neurologjike afatgjata.Diagnostikimi bëhet përmes testeve RT-PCR dhe analizave të antitrupave (ELISA).
Aktualisht nuk ekziston një trajtim specifik apo vaksinë e miratuar për virusin Nipah, ndërsa kujdesi mjekësor është kryesisht mbështetës.Sa i përket parandalimit, rekomandohet shmangia e konsumimit të frutave ose lëngjeve të mundshme të kontaminuara, përdorimi i pajisjeve mbrojtëse gjatë trajtimit të kafshëve të sëmura, ruajtja e higjienës personale dhe izolimi i rasteve të dyshuara në ambiente spitalore.
Sipas të dhënave aktuale, shpërthimet e virusit Nipah janë të kufizuara kryesisht në disa zona të Azisë, ndërsa rreziku për Evropën, Ballkanin, Kosovën dhe Shqipërinë mbetet shumë i ulët.
