Veteranët e Kroacisë dhe Kosovës nderojnë dëshmorët në Gllogjan

05.10.2025

Rreth 30 veteranë të luftës nga Kroacia dhe Kosova kanë zhvilluar sot një homazh të veçantë në Kompleksin Memorial të Gllogjanit, duke nderuar dëshmorët e Dukagjinit dhe të gjithë ata që dhanë jetën në luftërat për liri në Kosovë dhe Kroaci.

Me përulje të thellë dhe ndjenjë mirënjohjeje, veteranët vendosën kurora lulesh pranë përmendoreve të dëshmorëve, duke kujtuar bashkëluftëtarët që u flijuan për çlirimin e atdheut.

“Ne vijmë nga një herë në vit me i vizitu varrezat e dëshmorëve shqiptarë që kanë dhënë jetën në Kroaci por që rivarrimin e tyre e kemi bërë në Kosovë. Për të konstatuar mu këtë që u përmend – luftën e përbashkët kundër armikut të përbashkët – edhe me e pa e me ju tregue edhe shokëve kroat që janë me ne se çfarë mundi e sakrifice kanë dhanë shqiptarët për çlirimin e vet,” deklaroi Tomë Kaçinari, kryetar i Shoqatës së Veteranëve Vullnetarë të Luftës në Kroaci dhe Kosovë.

Ndërkaq, Esat Çollaku, kryetar i Shoqatës së Shqiptarëve Mbrojtës të Luftës në Kroaci, theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike: “Ne kemi obligim që mos t’i harrojmë asnjëherë sepse ata ranë për çlirimin e vendit. Nuk ka meritë apo vlerësim më të lartë se sa kur njeriu flijohet dhe jep jetën për atdheun e vet.”

Gjatë luftës në Kroaci, mbi 2800 luftëtarë shqiptarë nga Kosova ishin pjesë e përpjekjeve për liri, përfshirë edhe heronjtë Fehmi e Xhevë Lladrovci dhe Bekim Berisha. Nga këta luftëtarë, 87 ranë dëshmorë duke dhënë jetën për mbrojtjen dhe lirinë e Kroacisë.