Dita memoriale e policëve të rënë në detyrë – Nderohen 24 zyrtarë të rënë në shërbim të vendit
Me rastin e Ditës Memoriale të Policëve të Rënë në Krye të Detyrës, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, si dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar, kanë zhvilluar homazhe pranë lapidarit në oborrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Lapidari mban emrat e 24 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës që nga viti 2001.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti përkujtoi me respekt secilin nga policët e rënë që nga Lazim Rexhepi, i vrarë në vitin 2001, deri te rasti më i fundit i Muhamed Likës në vitin 2025. Ai theksoi rëndësinë e përkushtimit të Policisë së Kosovës në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
Në këtë kontekst, Kurti veçoi figurat e Enver Zymberit dhe Afrim Bunjakut si heronj të Kosovës, të cilët ranë në veri të vendit në rrethana që lidhen me mbrojtjen e shtetit dhe zbatimin e ligjit. Ai theksoi se Dita Memoriale është e lidhur simbolikisht me datën 26 korrik, ditën e rënies së Enver Zymberit në vitin 2011.
Gjatë deklarimit, kryeministri u ndal edhe te sfidat që Policia e Kosovës ka përballuar ndër vite. Megjithatë, sipas tij, Policia ka vazhduar të funksionojë me sukses dhe të integrojë kadetë të rinj, përfshirë mbi 200 pjesëtarë të rinj nga komuniteti serb që i janë bashkuar pas dorëheqjeve të vitit 2022.
Gjatë ditës, do të mbahen homazhe pranë varrit të Heroit Afrim Bunjaku si dhe vizitë në familjen e tij. Po ashtu, janë paraparë homazhe pranë varrit të Heroit Enver Zymeri, vizitë në familjen e tij dhe nderime pranë lapidarit në vendin e rënies së tij.
Ceremonitë përkujtimore përmbyllen në orën 17:00 me pritjen zyrtare të marshuesve në Qendrën për Trajnim për Kërkim-Shpëtim “Berim” në Zubin Potok – Ujman.