Vendoset gurthemeli i stacionit të ri të Policisë së Kosovës në Zubin Potok

01.07.2025

Sot, në orën 09:00, në Zubin Potok u mbajt ceremonia solemne e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e stacionit të ri policor, pjesë e angazhimeve për forcimin e sigurisë dhe pranisë policore në këtë rajon.

Në ceremoninë inauguruese morën pjesë:

  • Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme
  • Elbert Krasniqi, ministër i Pushtetit Lokal
  • Fehmi Hoti, zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës
  • Izmir Zeqiri, kryetar i Komunës së Zubin Potokut
  • Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës

Gjatë fjalës së tij, ministri Sveçla theksoi se stacioni modern do të krijojë kushte komode pune për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, duke rritur sigurinë dhe duke shërbyer si adresë raportimi për të gjithë qytetarët pa dallim. Ai nënvizoi se për një siguri më të lartë, duhet të sigurohet edhe infrastrukturë përcjellëse moderne.

Sveçla shtoi se institucionet mbeten të përkushtuara në ruajtjen e sigurisë së qytetarëve, qetësisë publike, si dhe sovranitetit e integritetit territorial të vendit.