Vazhdon rinumërimi në QNR: Deri tani të numëruara 445 nga 914 vendvotime
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i rinumërimit të fletëvotimeve për vendvotimet për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim të posaçëm.
Sipas të dhënave zyrtare, nga fillimi i këtij procesi më 13 janar 2026, në ora 18:00, e deri më 18 janar 2026, në ora 10:00, janë rinumëruar gjithsej 445 nga 914 vendvotime të planifikuara për rinumërim.
Procesi i rinumërimit është përmbyllur plotësisht në 19 komuna, përfshirë Deçanin, Gjakovën, Gllogocin, Gjilanin, Dragashin, Istogun, Kaçanikun, Klinën, Fushë Kosovën, Kamenicën, Mitrovicën e Jugut, Leposaviqin, Lipjanin, Novobërdën, Obiliqin, Rahovecin, Pejën dhe Prishtinën.
Ndërkohë, në komunën e Prizrenit janë rinumëruar 172 nga gjithsej 235 vendvotime.KQZ ka bërë të ditur se edhe gjatë ditës së sotme procesi po vazhdon me vendvotimet e mbetura në Prizren, ndërsa më pas, sipas radhës së përcaktuar, do të përfshihen edhe komuna të tjera.
Rezultatet e rinumërimit publikohen në mënyrë të vazhdueshme në platformën zyrtare të KQZ-së për rezultatet zgjedhore, në seksionin QNR > Rinumërim, pas përfundimit të numërimit për secilin vendvotim.
