Vajza e mitur raporton dhunë sistematike nga babai në Istog

26.05.2025

Një rast i dhunës në familje ka ndodhur në fshatin Llukavc i Begut në komunën e Istogut, ku një vajzë e mitur ka raportuar se është rrahur në mënyrë të përsëritur nga babai i saj.

Burime të sigurta të Sinjalit brenda Policisë bëjnë të ditur se rasti është raportuar në Stacionin Policor në Istog më 25 maj 2025, rreth orës 21:20. Pas marrjes së njoftimit, patrulla policore ka ndërhyrë menjëherë dhe ka kontaktuar me viktimën, B.G., e lindur në vitin 2009, dhe të dyshuarin, babain e saj.

Viktima ka deklaruar para autoriteteve se para dy-tre ditësh ishte rrahur me gyp të ujitjes, ndërsa dy apo tre muaj më parë kishte përjetuar dhunë me rrip të pantallonave. Ajo është intervistuar në prani të zyrtares së Qendrës për Punë Sociale, ku ka dhënë një dëshmi të detajuar mbi abuzimin e supozuar.

I dyshuari, Rrahman Gërguri, 49-vjeçar, gjithashtu është shoqëruar në Stacionin Policor, ku ka mohuar kategorikisht çdo akt dhune fizike apo psikike ndaj vajzës së tij. Ai ka pranuar vetëm se i kishte bërtitur asaj lidhur me mësimet dhe ndihmën në punët e shtëpisë.

Vajza e mitur është dërguar në QKMF në Istog, ku raporti mjekësor nuk ka evidentuar lëndime të dukshme trupore. Megjithatë, hetimet kanë vazhduar me marrjen në pyetje të motrës së viktimës, e cila në cilësinë e dëshmitares ka konfirmuar se kishte marrë njoftimin për dhunën përmes një bisede telefonike me motrën e saj më të vogël.

Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar si vepër penale për “Dhunë në familje”, ndërsa i dyshuari Rrahman Gërguri është liruar në procedurë të rregullt. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti janë në vazhdim.