Ushtarët amerikanë në Kosovë me kapacitete të reja kundër kërcënimeve ajrore

12.12.2025

Ushtarët amerikanë të Komandës Rajonale Lindore, pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), kanë zhvilluar një trajnim të avancuar për zbulimin, gjurmimin dhe neutralizimin e dronëve – një aftësi që po bëhet thelbësore në kushtet aktuale të sigurisë.

Trajnimi është fokusuar në përdorimin e pajisjeve të posaçme anti-dron, të cilat funksionojnë duke bllokuar frekuencat e kontrollit, gjë që detyron dronin të kthehet tek operatori. Pajisjet mund të ndërhyjnë po ashtu në sinjalet GPS/GNSS, duke bërë që droni të ndalet pezull, të ulet ose madje të bjerë, varësisht nga niveli i ndërhyrjes.

Sipas njoftimit të KFOR-it, ushtrimet synojnë të rrisin aftësitë teknike të trupave, duke theksuar rëndësinë e koordinimit, punës ekipore dhe përshtatjes ndaj kërcënimeve të reja ajrore që po evoluojnë me shpejtësi.

KFOR ka bërë të ditur se këto pajisje dhe njohuri tashmë janë përdorur edhe në situata operative, duke rritur efikasitetin e misionit në garantimin e sigurisë.

Misioni ndërkombëtar ka theksuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet vendore:
“KFOR vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, secili në rolin e vet si garantues i sigurisë.”

Ky trajnim konsiderohet një hap i rëndësishëm në përgatitjen e trupave për të përballuar sfidat e teknologjisë moderne në hapësirën ajrore.