Tri raste vdekjesh të dyshimta raportohen brenda një dite në Kosovë
Policia e Kosovës ka njoftuar sot për tre raste të ndara vdekjesh të dyshimta, të regjistruara në komunat Zveçan, Skenderaj dhe Obiliq.
Të tre viktimat janë burra, të cilët janë gjetur të varur në rrethana të ndryshme, raporton urgjent.com.
Rasti në Zveçan
Në orët e para të mëngjesit në Zveçan është gjetur i varur një burrë 77-vjeçar, i identifikuar me inicialet D.F., në rrethojat metalike të shtëpisë së tij në rrugën “Mbreti Petar”. Policia ka nisur hetimet, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Rasti në Skenderaj
Rreth orës 10:00, në një zonë pyjore pranë fushës së sportit në fshatin Prekaz i Poshtëm, është gjetur i varur një burrë rreth 65-vjeç. Patrulla policore ka arritur në vendngjarje dhe ka konfirmuar rastin. Identiteti i viktimës nuk është konfirmuar ende, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.
Rasti në Obiliq
Pak minuta më pas, rreth orës 10:04, policia është njoftuar se në rrugën “Hasan Prishtina” në Obiliq, pranë shtëpisë së tij, ishte gjetur i varur një burrë i moshës 45-50 vjeç. Mjeku i QKMF-së ka konstatuar vdekjen në vend, ndërsa hetuesia është angazhuar për sqarimin e rrethanave.
Të tre rastet po hetohen nga autoritetet kompetente, ndërsa pritet që rezultatet e obduksioneve të japin më shumë detaje rreth shkaqeve të këtyre vdekjeve.