Tre të arrestuar në Gjinoc të Suharekës për posedim të paautorizuar të armës dhe sulm
Tre persona meshkuj janë arrestuar të premten në fshatin Gjinoc të komunës së Suharekës, nën dyshimin për posedim dhe përdorim të paautorizuar të armës si dhe për veprën penale të sulmit.
Foto: Ilustrim
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 24 janar 2026 rreth orës 14:30, pas një mosmarrëveshjeje ndërmjet të dyshuarve. Dyshohet se incidenti ka ndodhur në momentin kur njëri nga të dyshuarit po kalonte me traktor të ngarkuar me dru për djegie nëpër pronën e njërit prej të dyshuarve. Pas konfliktit verbal, drejtuesi i traktorit dyshohet se ka marrë armën e njërit prej të dyshuarve dhe ka shtënë në afërsi të një personi të tretë.
Njësitet policore, gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit, kanë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me karikator, tre fishekë dhe një gëzhojë, për të cilën dyshohet se është përdorur gjatë incidentit.
Me vendim të prokurorit të shtetit, pas intervistimit, tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po hetohet nga organet kompetente.
