Tragjedi në Leposaviq, 76-vjeçarja gjendet e vdekur në shtëpi, nis hetimi

30.05.2025

Një grua e moshuar është gjetur pa shenja jete në banesën e saj në fshatin Dobrava të Leposaviqit, ndërsa autoritetet kompetente kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së saj.

Viktima është Olga Markovic, rreth 76 vjeçare, e cila jetonte e vetme, pasi familjarët e saj ndodheshin në Serbi. Pasditen e sotme, rreth orës 13:45, ekipi i ndihmës së parë kishte shkuar për ta vizituar atë, duke qenë se ajo ishte nën trajtim mjekësor. Mirëpo, ata e kanë gjetur derën e shtëpisë të mbyllur dhe nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Pas kërkesës për ndihmë, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur njësia e patrullës dhe hetuesi. Ata kanë hapur me forcë derën dhe brenda, në një dhomë të shtrirë në shtrat, e kanë gjetur viktimën pa shenja jete. Mjeku i cili ndodhej në vendin e ngjarjes ka konstatuar zyrtarisht vdekjen.

Menjëherë pas konstatimit, janë njoftuar njësia e hetimeve rajonale dhe ekipi i mjekësisë ligjore. Ata kanë kryer ekzaminimin fillestar në vendin e ngjarjes, dhe me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion. Kjo procedurë do të ndihmojë në përcaktimin e shkaqeve të sakta të vdekjes së 76-vjeçares.

Rasti fillimisht është cilësuar si “Hetim i vdekjes” dhe mbetet nën vëzhgimin e autoriteteve, të cilat po punojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me këtë ngjarje tragjike.