Tony Blair sot në Kosovë, takime të rëndësishme me liderët e vendit
Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, do të qëndroj sot për vizitë në Kosovë. Në kuadër të kësaj vizite ai do të ketë disa takime të rëndësishme me liderët e vendit.
Vizita e tij përfshin pjesëmarrjen në një seancë solemne të Kuvendit të Kosovës dhe takime me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.
Sipas agjendës, në ora 09:00, presidentja Osmani do të pret Tony Blair në një takim në objektin e Presidencës. Mediat do të kenë mundësinë të marrin pamje të pritjes para objektit, ndërsa pas takimit, presidentja dhe Blair do të bëjnë deklarata për mediat.
Pas takimit me Osmanin, ish-kryeministri britanik do t’i drejtohet deputetëve të Kuvendit, ku pritet të theksojë rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe të përsërisë mbështetjen e tij për Kosovën.
Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës do të marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti.
Më pas, në ora 10:45, kryeministri Kurti do të pret Tony Blair në një takim në oborrin e Qeverisë. Mediat do të kenë mundësinë të marrin pamje të këtij takimi.
Kjo vizitë e Tony Blair ka një rëndësi të veçantë për Kosovën, pasi ai ka qenë një nga mbështetësit kryesorë të vendit gjatë konfliktit të viteve 1998-1999 dhe vazhdon të jetë një figurë e rëndësishme në promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.