Tjetër operacion kërkimi, tash në Kaçanik për një person të zhdukur, angazhohen edhe dronët

28.04.2025

Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim është angazhuar në një operacion intensiv kërkimi në Komunën e Kaçanikut, pas marrjes së një raporti për një person të zhdukur.

Sipas njoftimit zyrtar të shoqatës, menjëherë pas marrjes së informacionit, ekipi operativ është mobilizuar dhe ka nisur kërkimet në terren. Për të rritur efikasitetin e operacionit, janë angazhuar edhe operatorë të specializuar të dronëve, të cilët po kryejnë mbikëqyrje ajrore të zonës së identifikuar si e mundshme për vendndodhjen e personit të zhdukur.

“Përdorimi i doneve po mundëson skanimin e shpejtë dhe të detajuar të terrenit,” thuhet në njoftim, duke theksuar avantazhin teknologjik në kërkimin e zonave të gjera dhe të vështira.

Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim ka siguruar publikun se operacioni është ende në zhvillim dhe i gjithë ekipi mbetet i përqendruar maksimalisht në lokalizimin e personit të zhdukur. Prioriteti kryesor është gjetja e tij sa më shpejt dhe ofrimi i çdo ndihme të nevojshme. Nuk janë dhënë detaje të tjera lidhur me identitetin e personit të zhdukur apo rrethanat e zhdukjes. Publiku do të informohet për çdo zhvillim të ri në lidhje me këtë operacion kërkimi.