Tension në Kongresin e UEFA-s në Beograd, Serbia heq simbolet e Kosovës
Një incident i tensionuar ka ndodhur në Kongresin e 49-të të UEFA-s që po mbahet në Beograd, ku Federata e Futbollit të Serbisë (FSS) ka reaguar duke hequr simbolet e Kosovës.
Foto: Ilustrim
Ky veprim vjen pas publikimit të fotove dhe videove në rrjetet sociale, ku shihej kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, duke prekur flamurin e Kosovës në Qendrën e Kongresit “Sava”, vendi ku po zhvillohet ngjarja e UEFA-s.
Videoja, e cila u bë virale, ka shkaktuar reagime të forta në Serbi, duke nxitur FSS-në të ndërmarrë veprime të menjëhershme. Mediet serbe raportojnë se FSS ka konfirmuar heqjen e simboleve të Kosovës, duke justifikuar veprimin si një masë për të ruajtur integritetin e kongresit dhe për të shmangur tensionet e mëtejshme.
RTK ka provuar të kontaktojë FFK-në për një koment, por deri tani nuk ka pasur përgjigje, pasi kryetari Agim Ademi ndodhet në Beograd për të marrë pjesë në kongresin e UEFA-s. Mbetet e paqartë se çfarë do të jenë hapat e ardhshëm nga FFK dhe UEFA në lidhje me këtë incident.
Ky incident vjen në një kohë të ndjeshme, duke pasur parasysh marrëdhëniet e tensionuara mes Serbisë dhe Kosovës.