Takimi i radhës në Bruksel, Lajçak: Fokusi do të jetë tek personat e zhdukur
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka zhvilluar një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka diskutuar për çështjet më aktuale të rajonit, me një fokus të veçantë në dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjen e personave të zhdukur.
Gjatë qëndrimit në Uashington, Lajçak është takuar me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, duke përfshirë Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien, dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Sasha Kasanof.
“Së bashku, ne u thelluam në sfidat dhe mundësitë gjeopolitike me të cilat përballet rajoni, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe nevojën për të avancuar në Dialogun e Normalizimit,” ka shkruar Lajçak në llogarinë e tij në Facebook.
Për më tepër, Lajçak ka informuar Zëvendës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Richard Verma, për zhvillimet e fundit në dialog dhe për vizitën e tij në rajon.
Pas këtyre takimeve në SHBA, Lajçak ka theksuar se fokusi i tij do të kthehet në Bruksel, ku këtë javë do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës.
“Përsëri në Bruksel, fokusi i kësaj jave do të jetë tek Personat e Zhdukur me takimin e parë të Komisionit të Përbashkët,” ka shtuar Lajçak.