Takim i nivelit të lartë: Komandanti i FSK-së, Jashari pret Gjeneralin amerikan Donahue

12.03.2025

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti në takim Komandantin e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, Gjeneral Christopher Donahue, duke konfirmuar edhe një herë partneritetin e fortë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Gjatë takimit, Gjeneral Jashari e informoi Gjeneral Donahue mbi arritjet e FSK-së, situatën aktuale dhe planet për të ardhmen. Ata diskutuan gjithashtu sfidat globale dhe rajonale të sigurisë.

Gjeneral Donahue shprehu vlerësimin e tij për lidershipin e Gjeneral Jasharit dhe përgëzoi FSK-në për progresin e saj. Ai konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për rrugëtimin e përbashkët drejt arritjes së objektivave strategjike.

Në fund, dy gjeneralët diskutuan investimet në projekte të përbashkëta, duke theksuar rëndësinë e tyre për rritjen e sigurisë rajonale dhe më gjerë.

Takimi thekson bashkëpunimin e ngushtë mes Kosovës dhe SHBA-së, si dhe angazhimin e përbashkët për të forcuar sigurinë në rajon.