Sveçla: IPK të hetojë çdo përfshirje të mundshme të pjesëtarëve të policisë në rastin “Mefail Shkodra”

11.08.2025

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës të hetojë çdo lëshim apo përfshirje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës, i shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan.

Ai ka theksuar se në çdo paraqitje publike dhe takim me mekanizmat që drejton ka kërkuar angazhim maksimal nga të gjitha strukturat për garantimin e integritetit personal dhe profesional të çdo shërbyesi publik.

Sveçla ka deklaruar se mbetet i vendosur dhe i pakompromis në këtë drejtim, duke mbështetur çdo formë të koordinimit ndërinstitucional që synon institucione kredibile, të besueshme dhe plotësisht në shërbim të qytetarëve.

“Askush nuk është i paprekshëm apo i pandëshkueshëm, veçanërisht brenda një institucioni që ka për mandat parandalimin, hetimin dhe luftimin e çdo veprimtarie ilegale në vendin tonë”, ka theksuar ministri në detyrë.

Ai ka bërë thirrje që me të njëjtën vendosmëri të veprojnë edhe hallkat e tjera të sistemit, veçanërisht drejtësia, në mënyrë që qytetarët të jetojnë në një Republikë ku sundojnë siguria, rendi dhe ligji.