Suharekë, reagon drejtoresha që iu vendos mbishkrimi “viagra” nga aktori Basha në derën e zyrës

08.10.2022

Drejtoreshës për Kulturë në komunën e Suharekës, Lorika Gashit, i është dëmtuar dera e zyrës së saj nga aktori Brahim Basha. Lidhur me “aksionin” e aktorit që ngjiti disa fotografi me mbishkrime “viagra”, “shko shit ku e ke vendin drejtoreshë dallaverexhike”, “turp”, ka reaguar vetë drejtoresha Gashi. Ajo përmes një postimi në rrjete sociale, ka […]

Suharekë, reagon drejtoresha që iu vendos mbishkrimi “viagra” nga aktori Basha në derën e zyrës Foto: Ilustrim

Drejtoreshës për Kulturë në komunën e Suharekës, Lorika Gashit, i është dëmtuar dera e zyrës së saj nga aktori Brahim Basha.

Lidhur me “aksionin” e aktorit që ngjiti disa fotografi me mbishkrime “viagra”, “shko shit ku e ke vendin drejtoreshë dallaverexhike”, “turp”, ka reaguar vetë drejtoresha Gashi.

Ajo përmes një postimi në rrjete sociale, ka theksuar se asnjë sulm i ulët nuk do të mund t’i ndalë reformat.

Drejtoresha e Kulturës, Lorika Gashi ka thënë se dje është sulmuar paturpësisht nga një artist, që sipas saj ai ka menduar që mund ta lëndojë duke e fyer e sulmuar, por e ka shumë gabim.

Po ashtu, drejtoresha Gashi ka shtuar se sulmet e tilla të ulëta e me tendenca linçuese nuk kalojnë. Prandaj me to po merren organet e rendit dhe drejtësisë.

Ajo ka deklaruar se puna e madhe dhe aktivitetet e shumëta si pasojë e reformarve të bëra duket që dikut s’po i pëlqejnë dhe se suksesi e puna e saj është duke i penguar.

Reagimi i plotë i drejtoreshës së Kulturës në Komunën e Suharekës, Lorika Gashi:

Asnjë sulm i ulët nuk do të mund t’i ndalë reformat!

Të nderuar qytetarë të Therandës,

Dje jam sulmuar paturpësisht nga një “artist” i cili ka menduar se mund të më lëndoj duke më fyer e sulmuar, por e ka shumë gabim.

Sulmet e tilla të ulëta e me tendenca linçuese nuk kalojnë. Prandaj me to po merren organet e rendit dhe drejtësisë.

Punët dhe rolet janë të ndara sikur në një shfaqje teatrale. Dihet kush është regjisori, producenti dhe kush duhet të luaj rol (por jo të luaj si të dojë për interesa personale sikur “artisti” në fjalë).

Është e vërtetë dhe me mburrje e them se jam farmaciste, por nuk jam kufizuar asnjëherë në ambiciet e mia për të kontribuar për shoqërinë dhe vendin tim.

Puna e madhe dhe aktivitetet e shumëta si pasojë e reformave të bëra duket që dikujt s’po i pëlqejnë. Suksesi dhe puna ime është duke i penguar. Me sulmuan për të më ndalur, por sulmi nuk kalon. Dje duke më sulmuar tentuan të më frikësojnë, të më ndalin, të më njollosin, por nuk do të arrijnë. Në syrin e llumave një grua sulmohet më lehtë sepse është grua, por gruja e suksesshme është kockë e fortë për llumat.

Asgjë nuk mund të më ndal që të vazhdoj të bëjë punë të mirë për qytetin dhe qytetarët.

Ndryshe, në lidhje me këtë, policia ka dhënë një version zyrtar në raportin 24 orësh, ku thuhet se rasti shkon në procedurë të rregullt.

“Është raportuar  se në derën e një zyrje i dyshuari mashkull kosovar kishte shkruar me marker si shenjë pakënaqësie rreth një projekti. Në konsultim me prokurorin rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.