Drejtori i QPS-Suharekë, Sami Rrakaqi flet për sfidat, arritjet dhe shërbimet në këtë qendër – Kjo është kërkesa e tij për komunën!

12.01.2023

Problemet e ndryshme si mosmarrëveshjet familjare të cilat në shumicën e rasteve përfundojnë me sulme fizike, problemet financiare, problemet me shendet fizik ashtu edhe psiqik, keqtrajtimi i fëmijëve janë disa nga sfidat të cilat institucionet e Kosovës përballen çdo ditë. Me probleme të këtyre natyrave, përballet edhe Qendra për Punë Sociale në Komunën e Suharekës, […]

Drejtori i QPS-Suharekë, Sami Rrakaqi flet për sfidat, arritjet dhe shërbimet në këtë qendër – Kjo është kërkesa e tij për komunën! Foto: Ilustrim

Problemet e ndryshme si mosmarrëveshjet familjare të cilat në shumicën e rasteve përfundojnë me sulme fizike, problemet financiare, problemet me shendet fizik ashtu edhe psiqik, keqtrajtimi i fëmijëve janë disa nga sfidat të cilat institucionet e Kosovës përballen çdo ditë.

Me probleme të këtyre natyrave, përballet edhe Qendra për Punë Sociale në Komunën e Suharekës, e cila vazhdimisht punon për të ndihmuar personat e kategorive të ndryshme.

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Komunën e Suharekës, Sami Rrakaqi në një intervistë për SuharekaOnline ka treguar për gjendjen, arritjet dhe vërshtirësitë gjatë vitit 2022 në qendrën që ai e drejton.

Rrakaqi ka thënë se në QPS-Suharekë aktualisht janë gjithsej 12 punonjës, të cilët kryejn punët dhe detyrat përkatëse.

Njëra ndër sfidat që përballet kjo qendër është edhe numri i familjeve në Komunën e Suharekës që marrin asistencë sociale, i cili nga muaji në muaj ndryshon.

Drejtori i QPS-Suharekë, Sami Rrakaqi ka thënë për SuharekaOnline se numri i familjeve të kësaj kategorie nga muaji janar i vitit paraprak deri në muajin dhjetor të po atij viti, ka qenë i ndryshueshëm, ku në bazë të statistiksave të nxjerra në raportin për vitin 2022, rezulton se numri i familjeve që marrin asistencë sociale në Komunën e Suharekës ka shënuar rënie, por që gjatë periudhës së njejtë kohore në këtë qendër janë paraqitur 28 familje të cilat kanë kërkuar që të marrin asistencë sociale, e Rrakaqi tregon se prej tyre 25 janë aprovuar, ndërsa 3 të tjera jo.

Në muajin dhjetor të vitit 2022, Sami Rrakaqi bën të ditur se 454 familje me gjithsej 1.920 anëtarë nga Komuna e Suharekës, kanë përfituar nga skema e ndihmës sociale.

MuajiNumri i familjeve që kanë përfituar nga skema e ndihmës socialeNumri i anëtarëve të familjeve që kanë përfituar nga skema e ndihmës sociale
Janar, 20225032.236
Shkurt, 20224982.206
Mars, 20224932.179
Prill, 20224872.148
Maj, 20224792.114
Qershor, 20224832.130
Korrik, 20224732.080
Gusht, 20224572.005
Shtator, 20224541.997
Tetor, 20224511.974
Nëntor, 20224451.953
Dhjetor, 20224541.920

Poashtu, ai ka treguar se familjet të cilat janë paraqitur për të kërkuar ndihmë gjatë vitit 2022 në këtë qendër kryesisht janë ato që jetojnë në viset malore të Komunës së Suharekës, por që ka edhe të tjera të cilat jetojnë në qytetin e Suharekës.

Vështirësi për këtë qendër Rrakaqi konsideron të jetë verifikimi i familjeve që marrin apo kërkojnë ndihmë nga skema e ndihmës sociale.

Një tjetër problem që trajton kjo qendër është edhe dhuna në familje, ku shumë gra dhe vajza gjejnë mbështetje në Qendrën për Punë Sociale.

Rrakaqi për SuharekaOnline ka treguar se gjatë viteve të fundit numri i rasteve të dhunës në familje të cilat janë paraqitur në QPS-Suharekë është rritur, po pavarësisht kësaj ai thotë se në këtë drejtim gjatë vitit 2022 është punuar shumë.

Gjatë vitit paraprak Rrakaqi bën të ditur se janë gjithsej 6 raste të cilat nga Qendra për Punë Sociale në Suharekë janë dërguar dhe strehuar në Strehimoren për Gra dhe fëmijë e cila gjendet në Prizren 6 gra, të cilat më pastaj me punën intensive të këtyre qendrave janë rikthyer në familje.

Poashtu, një problem i cili është prezent në shoqërinë tonë është edhe keqtrajtimi apo braktisja e fëmijëve. Ku së fundmi Suhareka është tronditur me lajmin se një person i dyshuar ka keqtrajtuar djalin e tij 12 vjeçar i cili u gjend i zbathur e i zhveshur në rrugë.

E lidhur me këtë rast, Rrakaqi ka thënë se qendra të cilën ai e drejton në bashkëpunim me institucionet tjera përkatëse është duke punuar.

Ndër tjerash, ai ka thënë se lajm i mirë për suharekasit është se në 4 vitet e fundit në Komunën e Suharekës nuk është braktisur asnjë fëmijë, madje shton se ka pasur kërkesa për adoptimin e tyre, të cilat nuk kanë mundur të realizohen pasi që nuk ka pasur asnjë fëmijë që të adoptohet.

Sami Rrakaqi ka thënë se në Qendren për Punë Sociale së fundmi është krijuar edhe një dhomë e veçantë ku zhvillohen takime mes prindërve dhe fëmijëve të cilët nuk jetojnë bashkë si pasojë e divorcit apo problemeve tjera në mes prindërve. Por që me objektin aktual Rrakaqi thotë se nuk është i kënaqur pasi që objekti është i vogël dhe në të shumtën e rasteve u paraqet edhe probleme.

Andaj ai, ka kërkuar nga Komuna e Suharekës apo donatorët e ndryshëm që të ndërtohet një objekt i ri me kushte më të mira apo të renovohet objekti në mënyrë që puna e tyre të lehtësohet sado pak.

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Suharekë, Sami Rrakaqi ka treguar poashtu edhe për numrin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, ku ka thënë se gjatë vitit 2022 janë regjistruar 34 raste të reja, e që numri i fëmijëve të kësaj kategorie sillet rreth 65.

Poashtu, ai tregon se 17 fëmijë janë strehuar tek të afërmit e tyre pasiqë të njejtit nuk kanë përkujdesje prindërore.

Rrakaqi ka treguar se është pjesë e Mekanizmit Kundër Dhunës në Familje, ku së fundmi ai ka kërkuar dhe rekomanduar që në Komunën e Suharekës të bëhet ndërtimi i një objketi për komunitet për rastet e dhunës dhe të ndërtohet sa më parë Qendra e shëndetit mendor në Suharekë.

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Suharekë, Sami Rrakaqi ka thënë se edhe këtë vit QPMS-Suharekë do të jetë e përkushtuar në punën e saj, duke uruar që rastet e dhunës në familje e problemet tjera të cilat e dëmtojnë shoqërinë të pakësohen. Poashtu ai shpreson shumë që gjatë viteve të ardhshme Komuna e Suharekës të ndërtojë një objekt të ri për këtë qendër, pasi që kjo mbetet njëra ndër vështirësitë kryesore.

Gazetare, Eurolinda Zenelaj