Sot nis procesi gjyqësor për rastin e rezervave shtetërore
Sot fillon procesi gjyqësor për rastin e rezervave shtetërore ndaj ish-ministres Rozeta Hajdari, aktakuzë e ngritur më 11 nëntor nga Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila e ngarkon atë me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ky rast është një ndër çështjet më të përfolura të muajve të fundit, për shkak të dëmit të madh të pretenduar ndaj buxhetit të shtetit.
Foto: Ilustrim
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Çfarë përmban aktakuza?
Sipas dosjes së Prokurorisë, të pandehurit Rozeta Hajdari, I.L. dhe H.G. akuzohen se gjatë periudhës shkurt – mars 2022 kanë shpërdoruar detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit pasuror për persona të tjerë. Prokuroria pretendon se nga veprimet e tyre është shkaktuar dëm financiar ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 2,912,134.78 euro.
Gjithashtu, aktakuza thekson se të njëjtit kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare të vendndodhjes së rezervave shtetërore, duke e vënë këtë informacion në dispozicion të të pandehurit R.M.
Roli i të pandehurit të katërt
Sipas Prokurorisë, R.M. akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprave penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar në përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë për furnizimin me mallra në kuadër të rezervave shtetërore.
Dëmet e pretenduara dhe rëndësia e rastit
Prokuroria Speciale ka deklaruar se ky proces është pjesë e hetimeve të gjera që lidhen me veprime të dyshuara të kundërligjshme, të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha financiare për buxhetin e shtetit. Rasti trajtohet si shkelje e rëndë e ligjit për rezervat shtetërore të mallrave, një mekanizëm ky çelës për sigurinë dhe menaxhimin e krizave në vend.
Gjykimi pritet të zgjasë për disa seanca, ndërsa opinioni publik dhe partitë politike po e përcjellin me vëmendje zhvillimin e këtij procesi që pritet të ndriçojë rrethanat mbi menaxhimin e rezervave shtetërore gjatë vitit 2022.