Sot në shkolla ligjërohet për ditën e Pavarësisë së Kosovës

Të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës, sot janë udhëzuar që në orën e parë të mësimit, të diskutojnë për 17 shkurtin 2008, ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Ndërkaq, të mërkurën më 17 shkurt 2021, Kosova shënon 13 vjetorin e pavarësisë. Për nderë të kësaj dite, janë paraparë një varg aktivitetesh që janë organizuar nga institucionet në vend.

Aktivitetet shtetërorë nisin në orën 08:00 me ngritjen e flamurit shtetëror nga Garda Ceremoniale e FSK-së.

Pas kësaj në orën 09:00 do të kryhen homazhe te varri i Presidentit Rugova. Homazhe do të ketë edhe në kompleksin memorial Adem Jashari në Prekaz.

Ndërkaq pritja shtetërore për 13 vjetorin e pavarësisë do të mbahet në orën 18:00 dhe organizohet nën patronatin e u.d Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

“Të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës, udhëzohen që në orën e parë të mësimit, në datën 16 shkurt 2021, të diskutojnë për 17 shkurtin 2008, ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, udhëzohen që të stolisin rrugët dhe sheshet kryesore të qyteteve me flamurin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e dërguar.

RAPORTO