Sindikata e Policisë reagon ashpër ndaj raportimeve mediatike, kërkon respekt për heronjtë dhe hetimet
Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur shqetësimin e thellë në lidhje me mënyrën e raportimit mediatik dhe publik për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, veçanërisht në rastet tragjike dhe incidentet që janë ende nën hetim.
Në një reagim zyrtar, sindikata ka theksuar me indinjatë deklaratën e fundit të gazetarit Branislav Kërstiq, i cili mohoi rënien heroike të Rreshterit Afrim Bunjaku, të vrarë gjatë sulmit terrorist në Veri në shtator të vitit 2023. Sipas sindikatës, kjo deklaratë është “e papranueshme dhe përbën fyerje të rëndë ndaj kujtimit të tij dhe ndaj sakrificës së heroit”.
Një tjetër rast i përmendur me shqetësim është vrasja e rreshterit Muhamet Lika në krye të detyrës. Sindikata ka dënuar ashpër tentativat për ta përfshirë atë në teori konspirative, duke e cilësuar këtë si “përpjekje të papranueshme për devijimin e hetimeve dhe njollosjen e figurës së tij dhe të institucionit që ai i shërbeu me nder”.
Sindikata e Policisë ka ngritur shqetësim edhe për publikimin e menjëhershëm të emrave dhe fotografive të pjesëtarëve të policisë të përfshirë në hetime, para përfundimit të proceseve hetimore. Sipas tyre, kur zyrtari policor shpallet i pafajshëm, shpesh mungon një reagim i njëjtë publik për të pastruar emrin e tij, duke shkaktuar “ndjesi padrejtësie dhe pasigurie” te shumë pjesëtarë policorë.
Në reagimin e tyre, Sindikata e Policisë ka theksuar se nuk kanë për qëllim të kufizojnë lirinë e mediave, por kanë bërë thirrje për “përgjegjësi, etikë dhe kujdes në raportim”, sidomos kur bëhet fjalë për figura të sigurisë që ende nuk kanë kaluar nëpër një proces të plotë hetimor apo gjyqësor.
“Kërkojmë që, nëse ndonjë zyrtar shfaqet në media pa të drejtë dhe më pas shpallet i pafajshëm, të bëhet demant publik dhe korrekt, me të njëjtin intensitet me të cilin është dhënë lajmi fillestar,” ka përfunduar Sindikata e Policisë së Kosovës në reagimin e tyre drejtuar mediave.