Shqipëria ndez skenën e Eurovisionit sonte me “Zjerm” nga Shkodra Elektronike
Shqipëria përfaqësohet sonte në garën evropiane të këndimit, Eurovision, me performancën e Shkodra Elektronike dhe këngën e tyre ritmike “Zjerm”. Grupi do të ngjitet në skenën e Bazelit në këtë natë gjysmëfinale, duke performuar i 12-ti me radhë.
Të gjithë shikuesit në Kosovë mund ta ndjekin transmetimin direkt të Eurovisionit sonte në RTK.
Shkodra Elektronike, e përbërë nga Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, sjell një kombinim unik të elementeve të folklorit shkodran me ritmet moderne elektronike. Kjo përzierje e veçantë ka arritur të tërheqë vëmendjen dhe të fitojë simpatinë e publikut ndërkombëtar.
Kënga “Zjerm”, pas fitores në Festivalin e RTSH-së, është kthyer në një hit të vërtetë në platformën YouTube dhe konsiderohet nga shumë si një nga hyrjet më origjinale dhe të spikatura të këtij edicioni të Eurovisionit.
Mbetet të shihet se si do të pritet performanca e Shqipërisë nga publiku dhe juria sonte, në këtë natë të rëndësishme gjysmëfinale të Eurovisionit.