Shoqata e Ndërtimtarëve: Politika po frenon investimet
Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës ka ngritur shqetësime serioze për ndikimin e pasigurisë politike dhe ngërçit institucional në zhvillimin e sektorit të ndërtimtarisë dhe ekonominë e vendit.
Sipas tyre, në një kohë kur Kosova ka nevojë urgjente për reforma dhe investime të qëndrueshme, mungesa e stabilitetit politik po pengon realizimin e projekteve të rëndësishme dhe po ngadalëson investimet, duke rritur pasigurinë për bizneset dhe investitorët.
Shoqata thekson se sektori i ndërtimtarisë, si një nga shtyllat kryesore të ekonomisë, po ndikohet drejtpërdrejt nga kjo situatë, ndërsa përmend edhe rënien e investimeve të huaja, rritjen e kostove të materialeve dhe presionet inflacionare.
Në këtë drejtim, ata u bëjnë thirrje forcave politike që të gjejnë një zgjidhje të shpejtë dhe konsensuale për çështjet institucionale, duke shmangur zgjedhjet e parakohshme dhe duke u fokusuar në stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik.
Shoqata kërkon vendimmarrje më të shpejtë, politika fiskale mbështetëse dhe rritje të investimeve kapitale, duke theksuar se stabiliteti politik është kyç për zhvillimin afatgjatë të Kosovës.
