Shërbimi Korrektues i Kosovës: Ka rreth 800 shtretër të lirë, nuk ka mungesë kapacitetesh

23.01.2026

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka reaguar ndaj raportimeve në disa media lidhur me mungesën e kapaciteteve në institucionet korrektuese, duke i cilësuar ato si të pasakta. Sipas njoftimit zyrtar, aktualisht në institucionet korrektuese të vendit janë në mbajtje gjithsej 1 758 të burgosur.

Nga të dhënat e publikuara, bëhet e ditur se Shërbimi Korrektues i Kosovës ka kapacitete të lira rreth 800 shtretër, çka dëshmon se institucionet korrektuese kanë hapësira të mjaftueshme për pranimin e rasteve të reja dhe se pretendimet për mungesë kapacitetesh nuk qëndrojnë.

Ky njoftim, sipas Shërbimit Korrektues, bëhet me qëllim të informimit të saktë të opinionit publik dhe parandalimit të keqinformimit.

Po ashtu, theksohet se Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Policia e Republikës së Kosovës kanë një marrëveshje mirëkuptimi për bashkëveprim institucional, e cila mundëson që, varësisht nga situatat e krijuara, të shfrytëzohen përkohësisht objektet e njëra-tjetrës.