Seanca për formimin e Qeverisë së re nesër, dita e fundit e afatit 15-ditor, ende paqartësi për votat
Nesër pritet të mbahet seanca vendimtare për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, pikërisht në ditën e fundit të afatit 15-ditor që Kushtetuta parasheh për mbylljen e këtij procesi.
Foto: Ilustrim
Mediat qendrore raportojnë se deputetët e Kuvendit do të mblidhen në orën 14:00, ku pritet të votohet mandati i Qeverisë së re.
Para kësaj seance, që pritet të jetë tejet e rëndësishme për drejtimin e ardhshëm të vendit, Kuvendi do të zhvillojë një tjetër mbledhje – atë për buxhetin e Republikës së Kosovës. Seanca për buxhetin është paraparë të nisë në orën 11:00.
Glauk Konjufca, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, është caktuar mandatar për formimin e kabinetit të ri qeveritar. Megjithatë, deri tani nuk dihet nëse partia e tij ka arritur t’i sigurojë votat e nevojshme për miratimin e qeverisë së re. Kjo ka shtuar paqartësinë politike në kryeqytet, ndërsa sytë e opinionit publik janë drejtuar nga Kuvendi për të parë nëse do të arrihet marrëveshja e duhur për formimin e institucioneve.
Mbetet të shihet nëse nesër, në orën 14:00, deputetët do të arrijnë të mbyllin me sukses procesin dhe nëse Kosova do të hyjë me qeveri të re, apo nëse vendi do të përballet me zhvillime të tjera politike.